Kinë - Clinton Këmbëngul Në Një Pjesëmarrje Të Barabartë Në Tregje
SHANGAI, 23 maj /ATSH-AFP/ - Shefja e diplomacisë amerikane, Hillary Clinton, këmbënguli sot në Shanghai në nevojën e një pjesëmarrjeje të drejtë të ndërmarrjeve në tregje, një nga pikat e mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
"Transparenca në vendosjen e rregullave dhe të normave, mungesa e diskriminimit, pjesëmarrja e barabartë në shitje në sektorë privatë si në blerjet qeveritare edhe në mbrojtjen me rigorozitet të pronës intelektuale, janë elementë shumë të rëndësishëm të tregtisë botërore", theksoi ajo në një fjalm përpara eksportuesve amerikanë.
"Ndërmarrjet amerikane kërkojnë të marrin pjesë në konkurrencën në Kinë. Ato kërkojnë të shesin mallrat e prodhuara nga punëtorët amerikanë për kosnumatorët kinezë, të ardhurat e të cilëve dhe kërkesa po rriten. Jemi për një situatë me përfitim për të dy vendet", deklaroi ajo.
Hillary Clinton u shpreh në një uzinë për mirëmbajtjen e avionëve amerikanë Boeing, në aeroportin e Shangait, metropoli i madh ekonomik i Kinës.
Ndërkohë, sekretarja amerikane e Shtetit mbërriti në Pekin ku pritet të marrë pjesë të hënën dhe të martën në edicionin e dytë të dialogut ekonomik dhe strategjik mes dy gjigandëve.
"Një nga prioritetet e këtyre bisedimeve është favorizimi i një marrëdhënieje ekonomike më të ekuilibruar mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara", shpjegoi ajo gjatë një takimi me personelin konsullor amerikan në Shangai.
Pas dy ditë kushtuar diplomacisë publike në Shangai, Clinton pritet të hyjë në thelb të çështjes gjatë një darke me këshilltarin e Shtetit Dai Bingguo.
Një nga objektivat e Uashingtonit është të bindë Pekinin të bashkohet me dënimin e komunitetit ndërkombëtar pas një hetimi që e përcaktoi përgjegjëse Korenë e Veriut për mbytjen e një anijeje koreanojugore në fund të marsit.
/I.Pu.