English

Kryesia e BDI: Nuk jemi për largim nga qeverisja

Shkup, 23 Maj, NOA - Kryesia e partisë Bashkimi Demokrat për Integrim mbrëmë ka mbështetur vendimin e liderit të saj, Ali Ahmeti për të mos braktisur qeverinë.

Një zyrtar i lartë i partisë shqiptare në pushtet, ka bërë të ditur se brenda këtij subjekti ka pakënaqësi të mëdha lidhur me gjendjen aktuale, siç është injorimi i kërkesave të fundit të BDI-së nga ana e VMRO-DPMNE-së.

“Ka zëra të ndryshëm që kërkojnë në kryesi braktisjen e bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit, presionet vijojnë ndaj kreut të partisë, mirëpo autoriteti i Ahmetit edhe më tej ngelet e palëkundur. Ndërsa, partia jonë i ka dhënë atij të gjitha kompetencat që në mënyrë individuale më në fund të vendos braktisjen ose jo të Qeverisë”, ka theksuar përfaqësuesi i lartë i BDI-së.

Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti dje deklaroi se nuk do të braktisë qeverinë dhe se do të vijojë që zgjidhjen e kërkesave ta bëjë nëpërmjet rrugëve institucionale, duke mbështetur edhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Ahmeti këtë qëndrim e ka shpalosur dje në selinë e partisë së tij pas një takimi të zhvilluar me ambasadorin amerikan, Filip Riker.

NOA-INA

KOMENTE