Tiranë, 23 Maj, NOA /Rajmonda Lajthia - Projektligji i miratuar së fundmi nga parlamenti, për taksimin me akcizë të disa produkteve të reja, siç janë gomat, ambalazhet plastike, qelqi apo disa lloje lëndësh djegëse duket se ka “përplasur” dy ministrat Bode dhe Prifti.
Ky i fundit, në emër edhe të kryetarit të këshillit konsultativ të biznesit, i ka dërguar një letër ministrit Bode ku i parashtron kostot që do të ketë rritja e akcizave për operatorët ekonomikë.
Në këtë letër, shkruhet se përfshirja në akcizë e produkteve të reja do të sjellë një kosto mbi 4 miliard USD, çka do të japë një ndikim direkt në planet e investimeve të këtyre kompanive.
Sektori i industrisë në këtë kohë krize po përballet me vështirësi në gjetjen e likuiditeteve, ndaj një rritje e kostove do të sillte për rrjedhojë edhe një frenim të investimeve që këto kompani kanë planifikuar për vitin 2010.
Mësohet se janë në total mbi 100 biznese që preken nga rritja apo përfshirja për herë të parë e mallrave me këtë taksim.
Anëtarë të këshillit konsultativ të biznesit kanë reaguar fort për këtë nismë të ministrisë së Financave, pasi ata nuk janë pyetur gjatë hartimit të saj.
Por fakti që ky draft mori miratimin në parlament, pa marrë në konsideratë vërejtjet apo sugjerimet e komunitetit të biznesit, është një dëshmi e qartë e nevojave emergjente që ka qeveria për të shtuar të ardhurat në buxhet.
Por në emër të mbrojtjes së mjedisit, qeveria ka ndërmarrë edhe nisma të tjera që në thelb parashikojnë rritjen e taksave si për bizneset edhe për individët. Rasti më i fundit ishte ai i taksës së re që pritet të hyjë në fuqi për çdo shit-blerje automjeti.
r.l/n.e/NOA