Rripi I Gazës - Persona Të Maskuar Djegin Një Kamp Veror Të Organizuar Nga Okb-Ja
GAZA, 23 maj /ATSH-AFP/ - Dhjetëra persona të maskuar u vunë zjarrin sot objekteve të një kampi veror të organizuar nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA dhe kërcënuan drejtorin e kësaj agjencie me "masa të ashpra", njoftoi zëdhënësi saj.
"Persona të armatosur u vunë zjarrin objekteve të kampit, dhe i shkatërruan krejtësisht ato", i bëri të ditur AFP-së zëdhënësi Adnan Abu Hasna.
Ai shtoi se disa persona të maskuar kanë sulmuar dhe kanë lidhur një roje të kampit, që pritej të hapej muajin e ardhshëm, duke lënë në vendngjarje një zarf me katër plumba në adresë të John Ging, drejtor i UNRWA-s për Gazën.
Personat e armatosur bllokuan rrugën përgjatë bregdetit mesdhetar të Rripit të Gazës përpara se ta shkatërronin këtë kamp veror, vazhdoi i njëjti burim.
Bëhet fjalë për një nga kampet më të mëdhenj të ndërtuar për rreth 250 000 fëmijë të refugjatëve palestinezë në enklavën palestineze.
Drejtori i UNRWA-s e cilësoi këtë sulm si "akt vandalizmi të lidhur me ekstremizmin, dhe që ndërmerret kundër lumturisë së fëmijëve".
"UNWRA nuk do të frikësohet nga akte të tilla dhe do ta rindërtojë shpejt kampin", theksoi ai në një komunikatë.
Ky sulm, që nuk është marrë përsipër, mund të jetë akt i grupeve islamike radikale që kundërshtojnë qëndrimin e përbashkët në këtë kamp të djemve dhe vajzave.
/I.Pu.