Shba-Shërbimet Sekrete: Lideri I Koresë Së Veriut Urdhëroi Sulmin Kundër Anijes Së Jugut
UASHINGTON, 23 maj /ATSH-ANSA/ - Shërbimet sekrete të SHBA-së pretendojnë se fundosja e anijes ushtarake koreanojugore me një silur dy muaj më parë është urdhëruar personalisht nga lideri koreanoverior Kim Jong-li, i cili në këtë mënyrë kërkon të përforcojë pushtetin e tij dhe të favorizojë ardhjen në pushtet të djalit të tij, Kim Jong-un, shkruan sot e përditshmja New York Times.
Fundosja e anijes luftarake koreanojugore nga një nëndetëse koreanoveriore shkaktoi vdekjen e 46 marinarëve. Qeveria e Seulit do t'i kërkojë javën e ardhshme OKB-së ta dënojë sulmin.
Koreja e Veriut e mohoi përfshirjen e saj në këtë incident. Por një hetim ndërkombëtar arriti në një tjetër konkluzion.
Sipas shërbimeve sekrete amerikane, cituar nga e përditshmja, sulmi është urdhëruar personalisht nga lideri koreanoverior Kim për të përforcuar pushtetin dhe të drejtën për të emëruar si pasues djalin e tij.
Kjo tezë është konfirmuar nga vizita e Kim, pas sulmit, te komandantët e njësisë ushtarake që kreu sulmin. Atëherë Kim i kishte dhënë yllin e katërt gjeneralit që kishte zbatuar sulmin.
Shtetet e Bashkuara kanë pohuar se do të ketë "pasoja për Korenë e Veriut për sulmin kundër anijes koreanojugore".
Por administrata Obama ka zgjedhur të moderojë reagimet për të shmangur një konflikt të mundshëm të armatosur ndërmjet Seulit dhe Phenianit.
/e.v/