Tajlandë - Kryeministri: Situata I Është Kthyer Normalitetit, Ndalimqarkullimi Zgjatet Me Dy Netë
BANGKOK, 23 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri tajlandez Abhisit Vejjajiva u shpreh sot në mëngjes se normaliteti mbizotëron në vend, pas një operacioni të gjerë pastrimi për të fshirë gjurmët e ngjarjeve të javës dhe mbrojti operacionin e ushtrisë kundër "këmishëkuqve".
"Situata është e qetë dhe i është kthyer normalitetit", deklaroi Abhisit në fjalimin e tij të përjavshëm në televizion drejtuar kombit.
Ai u shpreh katër ditë pas sulmit të ushtrisë kundër kampit të militantëve antiqeveritarë "këmishëkuqë" të vendosur në qendrën tregtare të Bangkokut që prej gjashtë javësh dhe që u pasua nga trazira.
Kryeministri njoftoi rihapjen e shkollave të hënën, të rrugëve dhe shërbimeve qeveritare që ishin mbyllur për të shmangur plagosjet e civilëve gjatë dhunës së të mërkurës ku gjetën vdekjen 16 persona dhe rreth 100 të tjerë u plagosën, ndërsa rreth 30 banesa u dogjën.
Autoritetet tajlandeze e zgjatën me dy netë, deri të martën në mëngjes, ndalimqarkullimin e vendosur të mërkurën në Bangkok dhe në 23 provinca të vendit si masë sigurie pas operacionit të ushtrisë kundër lagjes së pushtuar nga manifestuesit në qendër të kryeqytetit, që u pasua nga trazira dhe zjarre. Agjencia qeveritare e ngarkuar me situatat e emergjencës e zgjati me dy netë ndalimqarkullimin e vendosur në Bangkok dhe në 23 provinca nga ora 23:00 (16:00 GMT) deri në orën 04:00 (21:00 GMT), bëri të ditur një zyrtar i këtij organizmi.
Që nga fillimi i manifestimeve në mes të marsit nga "të kuqtë", të cilët kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Abhisit dhe zgjedhje të parakohshme, të paktën 86 persona janë vrarë dhe 1 900 të tjerë janë plagosur.
Abhisit mbrojti sulmin përfundimtar të ndërmarrë nga ushtria të mërkurën në agim dhe që solli dorëzimin e "të kuqve": Janë vrarë njerzë për shkak të përleshjeve mes grupeve të personave të cilët sulmonin autoritetet ndërkohë që ata përpiqeshin të vendosnin pengesa nëpër rrugë për të siguruar zonën.
Ai u pyet edhe për luftimet që ndodhën në një tempull të shpallur "zonë e sigurt" dhe ku disa manifestues ishin tërhequr të mërkurën, por ku u gjetën gjashtë kufoma pas shpërndarjes së tyre.
"Më të dhimbshme ishin vdekjet që ndodhën në tempullin Pathum Vanaram", deklaroi ai. Ai përsëriti se nuk kishte patur operacion ushtarak në çastin kur shpërtheu shkëmbimi i zjarrit në tempull dhe se një komision i pavarur do të zhvillojë një hetim për këtë qëllim.
/I.Pu.