English

Tradita/ Elbasan: Dasmat Në Fund Të Pranverës

ELBASAN, 23 Maj ATSH-Miranda Sadiku/- Këtë fundjavë, kur në Elbasan janë numuruar 20 dasma, varganët e makinave me buçitje borish, tërheqin vëmëndjen e kalimtarëve, që ndërsa ndalin hapat, u dhurojnë buzëqeshje çiftit të ri që zë vend në makinën që i prin korteut. Cdo dasmë e zakonshme, një nga të njëzetat e zhvilluara këtë fundjavë pranvere në Elbasan nuk i shqetëson dasmorët për shiun dhe as për motin e freskët, pasi "nxehen" me një gotë raki, që vazhdon si traditë në tavolinat e lokaleve të qytetit, por edhe në fshatrat. Edhe pse numri i divorceve është ende i lartë, lidhjet e reja mbizotërojnë mbi to. Jo rrallë në qytet, edhe ato pak lidhje në bashkëjetesë, së fundi përfundojnë në dasmat gëzimplotë, që hedhin themelet e një familjeje të shëndetshme. Ndonëse qyteti është shtuar me shumë ardhës nga të katër anët e rrethit, dasmat vazhdojnë të ruajnë të paprekur traditën elbasanase. -Traditat elbasanase në ditën e martesës- Në shtëpinë e dhëndërit në vitet 40'-80'dasma fillonte të martën, ndërsa sot nis ditën e shtunë. Dy orë para perëndimit të diellit, berberi qethte e ruante dhëndërrin ulur në një karrige në mes të hajatit, i veshur me rrobat e dhëndërisë. Kështu ndodh edhe sot kur tradita vazhdon të ruhet. Kur nusja hyn në derën e dhëndërit, të afërm të tij i hedhin nuses oriz me monedha metalike mbi kokë, kurse vjerra me një kupë me mjaltë, zhyt majën e gishtit të dorës së djathtë të nuses dhe lyen pragun e sipërm të derës, simbol i "këmbës së mbarë të nuses", ndërsa në dhomën e nuses vendoset një ibrik bakri, të cilën ajo e përmbys me këmbë. Historiani Kreshnik Belegu, pohon se " traditat nuk janë harruar, por ruhen me fanatizëm nga elbasanllinjtë, edhe pse dasmat janë moderuar, por kurrsesi të harruara". Ai madje tregon se vitet e fundit janë thyer disi tabutë, pasi "më parë asnjë ceremoni dasmore nuk kryhej dy javët e fundit të muajit gusht, pasi thuhej se "çifti nuk lind fëmijë". Kjo tabu tashmë është thyer dhe askush nuk i beson më fjalëve të moçme të të moshuarve, që vijnë nga kohë edhe më të vjetra. Dasma, një festë e vërtetë në jetën e të rinjve, vazhdon të mbushë me varganë rrugët e qytetit dhe të freskojë perherë e më shumë traditën, ndërsa një pajton i stolisur, ku zënë vend nusja dhe dhëndëri, mbetet një lidhje e ngushtë mes modernes dhe të shkuarës. Pjesë e të tashmes, dasmat shpejt shoqërohen me shumë lindje fëmijësh, që sjellin një brez të ri, që përtërin të vjetrit, simbol i largimit të mplakjes, për t'a lënë Elbasanin gjithnjë të ri./n.m/
KOMENTE