Tiranë, 23 Maj, NOA /Milena Selimi – Vazhdojnë ditët e Festivalit të dancit kontemporan, “Albania Dance Meeting 2010”, i cili po mbahet në qytetin e Durrësit dhe njëherësh edhe në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.
Sonte në mbrëmje në sallën Black Box të AAB-së, në Tiranë do të shfaqet pjesa “Variacions Al-leluia” e kompanisë së kërcimit Lanònima Imperial.
Krijuar nga Juan Carlos García dhe kompania Lanònima Imperial, pjesa Variacions Al-leluia është një vepër novatore rock n’roll, ku lëvizja është pika qëndrore e përformancës shumë të gjallë që ndodh.
Pjesa është plot skena enigmatike, me atmosferë gri, dhe engjëj të rënë në tokë. Ajo çfarë pjesa Variacions Al-leluia do të tregojë është se kurajoja jeton pikërisht tek ndjenja e frikës. Kjo kompani pretendon të sjellë një rrugë të re në skenë, vepra artistike sjell një performancë, ku ndërthuret muzika ‘live’ me kërcimin.
“Variacions Al-leluia” ka marrë pjesë në disa festivale të ndryshme në Spanjë, Danimarkë, Francë, Singapor, Lituani, Venezuelë, Ekuador, Bolivi, dhe Brazil. Sonte edhe në Tiranë.
m.s/n.e/NOA