English

Vëllezërit Shyti nxjerrin në dritë një libër për “Hakmarrjen”

Tiranë, 24 Maj 2010 NOA – Vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, rrëfehen për herë të parë me detaje lidhur me atë që i ndjek nga pas prej afro një dekade e gjysmë, “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Orik Shyti dhe vëllai i tij Learti, rrëfehen si asnjëherë tjetër për gjithçka që ka ndodhur në këto afro 15 vjet dhe zbulojnë të pathëna të kësaj periudhe. Tregojnë fillesat e kalvarit që ende vazhdon, dhe detajojnë si ky kalvar, nisi në verën e vitit 1996.

Gjithçka është hedhur në letër dhe që të mos mbetet vetëm për ta, kanë vendosur të nxjerrin një libër. “Ne, Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, është libri që nxjerrin Orik dhe Leart Shyti të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë.

Libri, i nisur si ide në vitin 2004, është vendosur që të shkruhet më 2009 dhe vetëm këto ditë ka dalë në dritë.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA ka marrë të drejtën ekskluzive të publikimit të pjesëve të përzgjedhura nga ky libër i vëllezërve Shyti.

Një organizatë kriminale, që qeveria e atëhershme e mazhorancës së presidentit Sali Berisha i cili është sot kryeministër, u akuzua për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, aktesh terroriste, vrasjesh e grabitjesh.

“Ne, Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, vëllezërit Shyti pohojnë se ia dedikojnë avokatit Dylber Mani, “shokut të babait tonë, që sakrifikoi përgjatë shumë viteve për të ndriçuar të vërtetën dhe mbrojtur të drejtën”.

Në hyrje të librit, shpjegohet se që nga muaji tetor i vitit 1996, “Sali Berisha na ka akuzuar pareshtur se kemi krijuar një organizatë kriminale me emrin “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”.

Libri vënë dukje faktin se sipas deklaratave zyrtare të kohës, qëllimi i krijimit të organizatës dhe krimet që kishte kryer e ato që përgatiste të bënte si dhe lidhjet me Partinë Socialiste jo vetëm ishin provuar shkencërisht por vetë të akuzuarit si krerë të organizatës, i kishin pohuar hetuesve se “ashtu si ju kishit ideal përmbysjen e Enver Hoxhës, unë kam, përmbysjen e Sali Berishës’.

Sikundër theksohet në libër, zyrtarisht u tha se qëllimi i “Hakmarrjes...” ishte vrasja e presidentit Sali Berisha dhe shumë krime të tjera.

Orik e Leart Shyti: Berisha, pse ka të drejtë të ndihet fitimtar

Në librin e vëllezërve Shyti, që vjen nga shtëpia botuese “Belina. H”, tregohet si u ngritën akuzat e para dhe më tej një seri të tjerash, cilët janë protagonistët, roli që kanë louajtur personazhet e politikës dhe të punësuarit prej tyre në drejtësi, media, etj.

Vëllezërit aktualisht azilantë në Evropë, thonë se “Hakmarrja” si një sajesë, është përdorur dhe po vazhdon të përdoret. “Hakmarrja është krijuar për t’u përdorur dhe shpifjet janë karburanti i vetëm që e vënë në përdorim”, - thonë vëllezërit dhe shtojnë: “Vetë përdorimin, e kushtëzon qëllimi, i cili synon ta krijojë dhe të ushqejë perceptimin se, “jo vetëm që “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë” ka ekzistuar dhe është autore e krimeve të kryera para vitit 1996, duke filluar nga 2 prilli i vitit 1991, por është ende vepruese dhe çdo krim i rëndë kryhet me pjesëmarrjen e saj”.

Për vëllezërit Orik e Leart Shyti, “qëllimi do mbetet i pandryshueshëm, sepse Sali Berisha ka shkuar shumë larg” dhe më tej, akuzojnë: “Na ka përndjekur familjarit pa pushim dhe është përpjekur të na marrë jetën, jo vetëm duke na futur në konflikt me familjet e viktimave dhe me persona të tjerë, që janë akuzuar për krime të rënda; është përpjekur të na bëjë bashkëpunëtorë me persona që akuzohen se kanë kryer krime; është përpjekur të na shtyjë në vetëgjyqësi me qëllim për të varrosur të vërtetën. Është e vërtetë që deri tani, nuk ia ka dalë të na marrë jetën. Por ai ka të drejtë të ndihet fitimtar se ia doli të na marrë fëmijërinë dhe rininë. Është në të drejtën e tij që të krenohet. Rrjedhojë e bëmave të veta, e ka të vështirë të pranojë krimin që ka kryer ndaj nesh”.

r.n/NOA

Sot tek NOA: Rrëfimi i Leart dhe Orik Shytit për akuzat që i vishen nga shteti. Lexoni sonte mbi akuzën e lidhjeve të “Hakmarrjes” me Dritan Dajtin dhe si përfaljet morën hov gushtin që shkoi kur super i kërkuari vrau në Durrës 4 policë. Si Berisha “është përpjekur të na marrë jetën” dhe pohimi i vëllezërve Shyti: Lexoni sonte gjithashtu dhe për”... ndihmën e pakursyer të Mero Bazes...”

Lexoni materialin e plotë

KOMENTE