Austri - Shkëmbimi I Uraniumit: Iaea Njoftohet Zyrtarisht Për Marrëveshjen Iran-Brazil-Turqi
VJENË, 24 maj /ATSH-AFP/ - Irani njoftoi zyrtarisht sot Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, IAEA, për marrëveshjen iraniano-turke-braziliane lidhur me një shkëmbim uraniumi, njoftoi një diplomat iranian në përfundim të një mbledhjeje në rezidencën e drejtorit të përgjithshëm të agjencisë së OKB-së, japonezit Yukiya Amano, në Vjenë.
"Dorëzuam një letër", deklaroi shkurt ky diplomat iranian duke dalë nga një takim prej pak më shumë se 30 minutash. Dokumenti mban firmën e kreut të Organizatës së Energjisë Bërthamore iraniane, Ali Akbar Salehi.
Disa diplomatë turq dhe brazilianë, vendet e të cilëve janë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ishin të pranishëm në këtë takim.
Agjencia iraniane e shtypit, Irna publikoi në mesditë tekstin e letrës, që Teherani kërkon t'i transmetohet nga IAEA grupit të bisedimeve të quajtur edhe grupi i Vjenës dhe që përfshin Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Francën, i cili kishte propozuar në tetor të vitit 2009 një procedurë tjetër këmbimi të uraniumit të cilën Irani nuk e miratoi.
Marrëveshja iraniano-turke-braziliane, e nënshkruar më 17 maj në Teheran gjatë një vizite të presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva dhe të kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, parashikon shkëmbimin në Turqi të 1 200 kilogramëve të uraniumit iranian pak të pasuruar (3,5 për qind) kundrejt 120 kilogramëve lëndë djegëse të pasuruar në masën 20 për qind të dhëna nga fuqitë e mëdha për reaktorin e kërkimeve mjekësore të Teheranit.
/I.Pu.