Axhenda Ndërkombëtare 24 Maj 2010
-------------------------------------------------------------
NGJARJE KRYESORE
-------------------------------
SEUL/UASHINGTON/PEKIN - Presidenti koreanojugor premtoi sot do ta bënte Korenë e Veriut të paguante duke kërkuar sanksione të reja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe duke pezulluar shkëmbimet tregtare, për t'u hakmarrë ndaj fundosjes së anijes së saj të luftës, Cheonan, nga bombardimet e Koresë së Veriut.
Në Uashington, presidenti Barack Obama i jep urdhër qeverisë së tij të rishikojë politikën ndaj Koresë së Veriut pas sulmit dhe u shpreh se sanksionet e Koresë së Jugut kundër Phenianit janë "plotësisht të përshtatshme".
Në Pekin, sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton dhe sekretari për Thesarin Timothy Geithner marrin pjesë në "Dialogun Strategjik dhe Ekonomik" mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, një nga objektivat kryesorë të të cilit është marrja e mbështetjes nga Pekini për dënimin e Koresë së Veriut.
TË TJERA
--------------
LONDËR - Koalicioni i ri në pushtet bën publike shkurtimet e para në buxhet për të zvogëluar deficitin rekord të Mbretërisë së Bashkuara pa pritur buxhetin shtrëngues që do të njoftohet në qershor, as fjalimin e mbretëreshës që do të paraqesë nesër në detaje programin legjislativ të qeverisë Cameron.
Detajet e shkurtimeve, që arrijnë shifrën 6 miliardë stërlina gjatë vitit buxhetor 2010/2011, do të paraqiten në mëngjes nga ministri i Financave, konservatori George Osborne dhe sekretari i Shtetit për Thesarin liberaldemokrati David Laws.
PARIS/LONDËR/FRANKFURT/MADRID - Evolucion i Bursave evropiane në rimëkëmbje pas disa seancave paniku të lidhura me krizën financiare në zonën euro.
NJU ORLINS (SHBA) - Ndjekje e përpjekjeve që po bëhen për të penguar rrjedhjen e naftës nga fundi i Gjirit të Meksikës, shkaktare e një shtrese nafte që po përhapet në brigje.
UASHINGTON - Kryeministri libanez Saad Hariri takohet në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Barack Obama në vizitën e parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, në kuadrin e shqetësimeve për një konflikt tjetër izraelito-libanez.
NJU JORK - Edicioni i përvitshëm i ndarjes së çmimeve Pulitzer, që shpërblejnë autorë dhe gazetarë (16:00).
UASHINGTON - La SEC, autoriteti i mbikëqyrjes së tregut të bursave në Shtetet e Bashkuara, paraqet rezultatet e para të hetimit për rënien për një kohë të shkurtër më 6 maj në Wall Street (13:00).
ABU DHABI - Kancelarja gjermane Angela Merkel fillon me vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe një turne katër ditor në vendet e Gjirit Persik, gjatë të cilit ajo do të shkojë në Bahrein, në Arabinë Saudite dhe në Katar.
TEHERAN - Irani pritet t'i dorëzojë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, IAEA, letrën për marrëveshjen tripalëshe të arritur mes Iranit, Turqisë dhe Brazilit për një shkëmbim të lëndës djegëse bërthamore në territor turk.
JERUSALEM - Israeli kujton 10-vjetorin e tërheqjes së trupave të tij nga jugu i Libanit, pas 22 vjet pushtimi.
/I.Pu.