English

Basha: Me emrin “Lazarat” jo më abuzime, tani përmendet për mirë

Lazarat, 24 Maj, NOA – Në Lazarat gjërat mund, po dhe do të ndryshojnë, e për këtë emri i tij, me të cilin është abuzuar shumë, duhet të fillojë të përdoret për ato të mira që sot ky fshat dhe kjo komunë po i shpalosin shoqërisë.

Një fakt të tillë ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, e ka deklaruar nga qendra e fshatit të Lazaratit, ku ka zhvilluar një takim me autoritetet vendase për fushatën e kontrollin të të gjithë territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

“Ka një bashkëpunim të shkëlqyer midis Policisë së Shtetit, autoriteteve vendore këtu dhe ç’është më e rëndësishmja me banorët e Lazaratit. Ne arritëm në këtë periudhë të kontrollonim në mënyrën më bindëse dhe më transparente para partnerëve tanë kultivimin e bimëve narkotike, dhe nga Lazarati t’u çojmë një mesazh shumë të fortë se këtu gjërat po ndryshojnë”, tha Basha në fjalën e tij.

Më tej, shtoi se “kjo fushatë merr një rëndësi të jashtëzakonshme në prag të lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë”.

Në fund, ministri i Brendshëm tha se praktika e nisur javët e fundit në Lazarat, do të intensifikohet në javët e ardhshme në mënyrë që viti 2010 të jetë një vit i kthesës së madhe, jo vetëm për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, por “për t’i hapur rrugën një koncepti plot me shpresë dhe me besim tek e ardhmja dhe për të lënë mbrapa çdo praktikë dëshpëruese dhe dëshpërimi që ka mbjellë vetëm vdekje, vuajtje dhe fatkeqësi, siç ka qenë ajo e kultivimit të bimëve narkotike”.

n.e/NOA

KOMENTE