English

Berisha: Derdhin lotë krokodili për papunësinë

Tiranë, 24 Maj, NOA – “Ata që derdhin lotë krokodili për papunësinë, e cila ekziston, u them se nihilizmi është vajtimi më hipokrit për të papunët në Shqipëri”.

Me këto fjalë u është drejtuar kundërshtarëve të tij politikë, kryeministri Sali Berisha, gjatë një fjalimi të mbajtur në Yzberisht, me rastin e përurimit të fabrikës së riciklimit, të cilin e vlerësoi si një investim të shkëlqyer dhe me vlerë.

Sipas tij, nuk kanë vend kritikat për ekonominë, në një kohë kur ekonomia shqiptare “i rezistoi më mirë nga të tjerat cunamit ekonomik financiar botëror dhe shmangu recesionin e krijuar për shkak të tij”.

“Ka 40 % shtim biznesesh dhe një rritje me 140 % të eksporteve “Made in Albania” në 4 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me ato të vitit të kaluar. E gjitha kjo, është mbi të gjitha prodhim, mund dhe djersë”, tha ai.

“Do të rrisim rrogat dhe pensionet, e cila është e bazuar në funksionimin e politikës shqiptare, në një kohë kur vendet më të pasura po i ulin ato dhe po heqin të gjitha bonuset dhe shpërblimet”, tha më tej Berisha, për të treguar ritmet e vërteta të rritjes ekonomike në vend, të cilat sipas tij, janë mëse të dukshme.

n.e/NOA

KOMENTE