English

Berisha: Ekonomia Shqiptare, Start Të Admirueshëm Në Vitin 2010

TIRANË, 24 Maj/ATSH-Maela Marini/. - Kryeministri Sali Berisha tha sot se ekonomia shqiptare ka një start të admirueshëm në vitin 2010, duke shtuar se "kjo ekonomi u bë e njohur në mbarë botën, sepse i rezistoi më mirë tsunamit ekonomik financiar botëror". Në fjalën e mbajtur gjatë vizitës në fabrikën e riciklimit të plastmasit "Everest", në komunën e Yzberishtit (Tiranë), Kreu i Qeverisë vuri në dukje se ekonomia shqiptare ia doli të shmangë recensionin, i cili pllakosi pothuajse të gjitha vendet e Europës dhe planetit. Kryeministri Berisha theksoi se "ekonomia shqiptare ruajti një rritje prej 3.5 për qind". Sipas tij, "krahasuar me një vit më parë, në Shqipëri janë regjistruar rreth 40 për qind biznese më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar". "Në rast se vitin e kaluar u regjistruan rreth 5300 biznese, në 4 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 7520 biznese", tha Kryeministri. "Ata të cilët derdhin lotë krokodili për papunësinë që ekziston, duhet t'u them se nihilizmi është vajtimi më hipokrit për të papunët në Shqipëri. Sepse kjo ekonomi, si asnjë ekonomi tjetër, ka një rritje të eksporteve shqiptare me 140 për qind në 4 muajt e parë të 2010, krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë", tha Kryeministri Berisha. Ai vuri në dukje se Qeveria në mënyrë të vazhdueshme po thellon reformat në fushën e biznesit dhe të ekonomisë. "Së shpejti ne do të vendosim njërin prej sistemeve më të mira të inspektimeve, duke e thjeshtuar atë nga 36 inspektoriate në 11 të tilla, që do të jenë mbi baza thellësisht dixhitale dhe transparente", tha Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë theksoi se reformës së thellë po i nënshtrohet edhe sistemi i agjencisë së investimeve të huaja, ndërsa theksoi se "reforma të thella po bëhen në sistemin fiskal, me qëllimin e vetëm, luftën kundër informalitetit dhe krijimit të kushteve të barabarta në treg". "Qeveria është e vendosur të vazhdojë programin e saj në ndërtimin e një infrastrukture ndër më modernet", tha ai. Duke u ndalur te bashkëpunimi mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, Kryeministri Berisha tha se "Qeveria ime mbetet shumë e hapur për të bashkëpunuar me qeveritë vendore, në mënyrë që të ndryshojmë gjithnjë e më shumë jetën e qytetarëve, aty ku banojnë". Gjithashtu, ai siguroi se në përputhje me programin e qeverisë, do të rriten rrogat dhe pensionet. "Kjo rritje është e bazuar fund e krye në funksionimin e ekonomisë shqiptare, në një kohë kur vendet më të pasura të kontinentit po bëjnë ulje të mëdha rrogash, po ngrijnë pensionet dhe po heqin të gjitha bonueset dhe stimujt", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "këto janë parimet më të drejta në mënyrë që Shqipëria të vendoset së shpejti në orbitën e rritjes ekonomike dyshifrore dhe në orbitën e zhvillimit më të shpejtë"./s.s./
KOMENTE