Berisha:Qeveria Do Të Inkurajojë Zhvillimin E Industrisë Së Riciklimit Të Mbetjeve
TIRANË, 24 Maj /ATSH-Maela Marini/.- "Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e industrisë së ricklimit të mbetjeve në vend, duke vendosur kuadrin më të mirë ligjor dhe inkurajues për zhvillimin e saj", garantoi sot Kryeministri Sali Berisha, pas vizitës në Fabrikën e riciklimit të plastmasit "Everest", dhe një takimi me kryesinë e shoqatës së ricikluesve në komunën Yzberish (Tiranë).
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar rolin e fabrikës së riciklimit të plastmasit, tha se në përgjithësi industria e riciklimit përmbush një detyrë shumë të rëndësishme e me një impakt shumë të madh në mbarë vendin.
"Impakti i tyre është i shumëllojshëm, por sidomos kanë një impakt të madh mbi mjedisin, pasi bëhen gjeneratorë të mbledhjes, grumbullimit e përpunimit të të gjitha llojeve të mbetjeve në vend", tha z. Berisha.
Duke iu referuar vizitës së sotme në fabrikën e plastmasit, kryeministri tha se në të punojnë rreth 100 punëtorë, ndërsa 1000 të tjerë e sigurojnë punën e tyre të përditshme me mbledhjen, grumbullimin e sistemimin e materialeve, që vijnë nga mbarë vendi për t'iu nënshtruar procesit të riciklimit dhe për t'u shndërruar në materiale plastike të përdorimit të gjerë.
Kreu i Qeverisë, pasi informoi se së shpejti në afërsi të kësaj fabrike, do të fillojë nga puna impianti i përpunimit të qelqit, tha se industria e riciklimit ka dhënë gjatë dy-tre viteve të fundit mbi 50 milionë euro, ndërsa riciklimi i letrës në impiantin e ri të saj arrin në kapacitetet 80 ton në ditë.
"Ju garantoj se qeveria, në një raport të ngushtë me shoqatën tuaj, do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e kësaj industrie. Në një dialog konstant me ju dhe shoqatën tuaj do të vendosë kuadrin më të mirë ligjor dhe inkurajues për zhvillimin e saj. Në tërësi janë së paku 10 mijë shqiptarë, të cilët sigurojnë punën e tyre nëpërmjet kësaj industrie dhe duhet ta pranojmë se janë shtresat më të varfëra të vendit", u shpreh Kryeministri Berisha.
Fabrika e riciklimit të plastmasit "Everest" është një investim me vlerë prej 10 milionë euro dhe ka një kapacitet përpunimi rreth 500 ton në muaj./s.s./