English

Berisha: Shqyrtimi I Materialeve Zgjedhore, E Drejtë Ligjore E Opozitës

- Në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së, Kreu i Qeverisë fton Kryetarin e PS-së, Edi Rama të përcaktojë mënyrat për shqyrtimin e materialeve zgjedhore - TIRANË, 24 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha i ofroi sot, Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama të përcaktojë të gjitha mënyrat për të shqyrtuar materialet zgjedhore, ndërsa i vlerësoi si pozitive zhvillimet politike në vend. "Edi Rama mund t'i shqyrtojë vetë, nga e para tek e fundit të gjitha materialet zgjedhore, pasi kjo është një e drejtë ligjore e tij. Por ai mund të përcaktojë mënyrat e përzgjedhjes së kutive mostra të materialeve zgjedhore, të cilat mund ti shqyrtojë bashkë me maxhorancën", tha Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke komentuar grevën e opozitës, Kryeministri Berisha u shpreh se "nga fjalimet emocionale të protestuesve ka patur vetëm ndjeshmëri njerëzore dhe asgjë tjetër". "Kampingu i protestës i ngritur në bulevardin qendror të kombit, vetëm pak metra larg nga ndërtesa e parlamentit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, u mbyll. Gjatë gjithë periudhës, garantoj qytetarët shqiptarë, se kam ruajtur të pacënuar dimensionin njerëzor ndaj deputetëve dhe qytetarëve që u ngujuan në çadra", tha Berisha. Kryeministri theksoi se ka respektuar tërësisht çdo të drejtë të protestuesve, duke bërë thirrje çdo ditë për një kujdes shëndetësor kompetent dhe duke ndjekur në mënyrë të përditshme gjendjen shëndetësore të atyre që shtroheshin në spital. "Për mua ishte tërësisht e pamundur të negocioja ndërprerjen e grevës. Vendimi im përfundimtar ishte të respektoja kundërshtarët e mi që kishin zgjedhur pothuajse oborrin e kryeministrisë për të protestuar. Për asnjë moment nuk i lejova vetes ndërhyrjen më të vogël në vendimin e drejtuesve të opozitës", tha Berisha. Ai theksoi se gjatë ditëve të grevës nuk pranoi asnjë emisar, apo ndërmjetës për kompromis, duke theksuar se ka respektuar mbi të gjitha, shtetin ligjor. "Gjatë atyre ditëve u bënë përpjekje të mëdha për të bërë zgjidhje të negociueshme. Unë kam qenë dhe mbetem gjithnjë i hapur për takime dhe negociata, por në atë periudhë nuk pranova asnjë emisar, apo ndërmjetës dhe kjo, pasi në emër të disa interesave jetike për çdo qytetar shqiptar, kisha vendosur të respektoja protestën, por edhe ligjet e vendit", tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te zhvillimet politike të javës së fundit, Berisha konfirmoi se kishte marrë një telefonatë nga Brukseli më datën 19 maj, ku ftohej bashkë me Ramën në një darkë. Sipas tij "kushti i vetëm i vendosur ishte të mos diskutonte për grevën dhe me grevën". "Unë gjeta mirëkuptimin e plotë të bashkëbiseduesve të mi për këtë qëndrim dhe në mënyrën më absolute nuk e bëra këtë për t'i diktuar, qoftë edhe gjënë më të vogël, opozitës shqiptare. Në të drejtën e saj, ajo i ka marrë dhe do t'i marrë vendimet e pandikuar nga Sali Berisha", tha Kryeministri. Berisha shprehu keqardhje, pasi në deklaratat e tij, z. Rama fakton se udhëhiqet nga kulti i 'armikut'. "Për ne, opozita është pushteti moral i këtij vendi. Ne kemi themeluar opozitën shqiptare dhe nuk mund të kemi kurrë qëndrim tjetër, veç respektit të palëkundur ndaj saj", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij 'Edi Rama gabon kur thotë se qeveria po priste që opozita të bëhej e dhunshme, pasi ishte kjo maxhorancë që garantoi të drejtat në mënyrën më të pacënueshme". Kreu i Qeverisë e konsideroi takimin e Strasburgut si një takim mjaft pozitiv dhe konstruktiv. Sipas tij "në këtë takim spikati vendosmëria dhe vullneti i plotë për të respektuar Kushtetutën, ligjet, vendimet e gjykatave, por edhe për të gjetur hapësirat më të mëdha të mundshme që edhe opozita të gjejë veten dhe të operojë me synimet e saj të ligjshme". "Takimi ishte shumë i mirë dhe u bë një shkëmbim shumë intensiv mendimesh për gjithë spektrin e çështjeve. Në takim u shpreh respekti i plotë për shtetin ligjor. Një kod i i tërë u vu në provë, funksionoi dhe në bazë të tij u zhvilluan zgjedhjet e 28 qershorit", tha Kryeministri Berisha. Ai theksoi se "që në fillim, maxhoranca ka qenë e gatshme të marrë pjesë në një komision hetimor, ku opozita ka shumicën dhe kryesimin"./n.m/
KOMENTE