Bojaxhi: Ligji Do Të Veprojë Me Rigorozitet Ndaj Atyre Që Kanë Bërë Dhe Do Të Bëjnë Ndërtime Pa Leje
KSAMIL, 24 Maj/ Andi Myrte/- Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Gjergj Bojaxhi shprehu sot vendosmërinë për të mos lejuar ndërtimet pa leje.
Gjatë një deklarate për mediat në komunën e Ksamilit, rreth 4 km larg qytetit të Sarandës, ku ka nisur aksioni për shembjen e mbi 200 objekteve pa leje, Gjergj Bojaxhi siguroi se," ligji do të veprojë me rigorozitet të plotë ndaj të gjithë atyre që kanë bërë ndërtime pa leje apo dhe ndaj atyre që do të bëjnë ndërtime pa leje".
Ai konfirmoi se, "gjithçka ka shkuar qetë për shembjen e disa ndërtimeve në zonën e Ksamilit", duke shtuar se, "ky është një proçes i vështirë por i nevojshëm për të patur një zhvillim të qëndrueshëm dhe elitar të turizmit".
Pastrimi i Rivierës do të jetë ndërhyrja më e madhe pastruese në Shqipëri. Mbi 7 mjete të rënda, 30 punonjës të inspektoriatit ndërtimor, dhe mbi 100 forca policie janë pjesë e fazës së parë të operacionit që po zhvillohet në Butrint dhe Ksamil. Deri tani janë shembur rreth 20 objekte pa leje, kryesisht ndërtime të pabanueshme./s.d/