Fier: Bashkia Nuk Pranon Buxhetin E Miratuar Nga Këshilli Bashkiak
FIER, 24 Maj /ATSH, Rr.Isufaj/ - Bashkia e Fierit ka realizuar vetëm 60 për qind të të ardhurave për 2009, ka administratë të fryrë dhe së bashku me Këshillin Bashkiak janë në konflikt për miratimin e buxhetit të ri, tha sot në një konferencë për median kryetari i degës së Partisë Demokratike në Fier, Ferdinand Murati.
Sipas tij, "buxheti i paraqitur nuk pasqyron zhvillimet ekonomike të qytetit, ndaj grupi këshilltar i PD ka bërë sugjerime për ndryshime".
Murati përcakton dy pikat më të dobëta të buxhetit të paraqitur nga Bashkia janë: mosrealizimi i të ardhurave lokale dhe administrata e fryrë dhe jo efiçente.
"Realizimi i buxhetit të bashkisë për vitin 2009 ka qënë vetëm 60% ndërsa organika e administratës së bashkisë së bashku me ndërmarrjet përkatëse është 593 persona", tha Murati në një konferencë për shtyp.
"Të ardhurat që grumbullon Bashkia nuk dalin as për të paguar rrogat e administratës, ndaj ajo merr edhe nga grandi i qeverisë, që është i destinuar për investime," tha ai.
Nisur nga kjo papërgjegjshmëri në buxhetin e vitit 2010, Murati tha se "i sugjeruam kryetarit uljen e shpenzimeve, zvogëlimin e administratës dhe privatizimin e ndërmarrjes së pastrimit dhe gjelbërimit, pasi nga kalimi me sipërmarrje i tyre kursehen rreth 400 milionë lekë, ndërsa edhe 200 milionë lekë fitohen nga ristrukturimi i administratës".
Sipas tij, këto vrejtje i janë referuar kryetarit, duke i kërkuar që të reflektojë nëpërmjet hartimit të një projekti të përbashkët. Murati tha se "kryetari i Bashkisë jo vetëm që nuk ka pranuar, por kërkon që këshillin bashkiak ta kthejë në një ushtri të bindur të tij".
Kryetari i Bashkisë, Baftjar Zeqaj, pretendon që buxheti nuk është miratuar, sepse, sipas tij, është antiligjore që këshilltarët të miratojnë një buxhet që nuk është paraqitur nga ekzekutivi i Bashkisë.
"Ne kemi miratuar projektin e paraqitur nga bashkia me ndryshimet e kërkuara dhe të argumentuara nga këshilltarët. Pra, nuk është e vërtetë se nuk kemi miratuar buxhetin," deklaroi Murati./ch/