English

Fullani: Shqiperia Permes Eurobond-It, Hyn Ne Tregjet Globale

-Deklaron për ATSH-në, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani- TIRANE, 24 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vlerëson se "ekspozimi për herë të parë i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, përmes Eurobond-it, është fillimi i pjesëmarrjes së saj në tregjet financiare globale". Në një intervistë eskluzive dhënë për ATSH-në, Guvernatori Fullani thotë se përmes emetimit të Eurobondit të zakonshëm, me një fond prej 350- 500 milionë eurosh, synohet të financohen të gjitha investimet në infrastrukturë dhe të ristrukturohen financime që do t'i japin një frymëmarrje të re zhvillimit ekonomik të vendit. "Interesi i bankave më serioze të Evropës për eurobond-et e Shqipërisë, që emetohen për herë të parë në historinë e vendit, është i lartë, por duhet të jemi realist se pjesa dërrmuese e këtyre fondeve do të përdoret për të likuiduar përfundimisht kredinë që morëm vitin e kaluar, në mënyrë që interesat e saj të mos rëndojnë në borxhin dhe financat shqiptare", tha Fullani. Sipas Guvernatorit Fullani, deri në fund të muajit maj pritet të merret një përgjigje pozitive nga tregjet financiare ndërkombëtare. Një transaksion i tillë, vlerëson ai, ndërmerret jo vetëm për të siguruar likuiditete afatgjata, por edhe shërben si një lloj hapjeje e sistemit financiar kombëtar ndaj tregjeve ndërkombëtare, si një prestigj për shkak të besimit që kanë investitorët e huaj mbi letrat e borxhit të një vendi, dhe së fundmi shërben edhe në mënyrë indirekte si promovim i vendit emetues. Një tjetër anë pozitive e këtij procesi, që konsiderohet shumë e rëndësishme nga Guvernatori i Bankës Qendrore është, se emetimi i eurobondeve, krijon në periudhën afatmesme dhe në afatgjatë një presion pozitiv mbi qeverinë pasi e detyron atë te jetë shumë më e kujdesshme në drejtim të përdorimit të financave publike. Përtej retorikës politike, e cila akuzon për blasfemira të tipit huamarrje biblike në kurriz të shqiptarëve, Guvernatori Fullani thotë se proçesi i hapjes ndaj tregjeve ndërkombëtare është një fenomen krejtësisht normal dhe ndodh atëherë kur financat e një vendi të caktuar kanë filluar të konsolidohen. Këto obligacione në valutë të huaj marrin emërtimin nga tregu ku hidhen për shitje, duke qenë se tregu i synuar është BE, quhen Eurobonde, nëse do ishin emetuar në SHBA do quheshin Yankee Bonds, nëse do ishin emetuar në Japoni do quheshin Samurai Bonds e kështu me radhe. Procesi i emetimit të eurobondit të parë të Shqipërise, si procesi më i rëndësishëm ndonjë herë i operacioneve të huamarrjes publike të Shqipërisë , startoi në fillim të Janarit me publikimin e Kërkesave për Ofertë nga Ministria e Financave. Nga ana tjetër, thekson Guvernatori Fullani, sistemi bankar vijon të mbetet i ndjeshëm ndaj lëvizjeve me luhatshmëri të lartë të kursit të këmbimit, veçanërisht për ndikimin që këto përcjellin në cilësinë e portofolit të kredisë, i cili dominohet prej kredisë në valutë. Në këtë rast, zgjidhja më e mirë do të ofrohej nga zbatimi i politikave më të ekuilibruara të kreditimit, të cilat synojnë rritjen e peshës së kredisë në lekë. "Përsa i takon pozicionit valutor në bilanc, sektori bankar, si edhe më parë, vazhdon të evidentojë një pozicion të hapur neto në vlera të ulëta, duke kufizuar ndjeshëm madhësinë e humbjeve të mundshme", tha Fullani./s.s./
KOMENTE