Tiranë, 24 Maj 2010 NOA - Vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, rrëfehen për herë të parë me detaje lidhur me atë që i ndjek nga pas prej afro një dekade e gjysmë, Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi. Një organizatë që u akuzua atëherë nga shteti për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, aktesh terroriste, vrasjesh e grabitjesh. Orik Shyti dhe vëllai i tij Learti, rrëfehen si asnjëherë tjetër për gjithçka që ka ndodhur në këto afro 15 vjet dhe zbulojnë të pathëna të kësaj periudhe. Tregojnë fillesat e kalvarit që ende vazhdon, dhe detajojnë si ky kalvar, nisi në verën e vitit 1996.
Gjithçka është hedhur në letër dhe që të mos mbetet vetëm për ta, kanë vendosur të nxjerrin një libër. “Ne. Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, është libri që nxjerrin Orik dhe Leart Shyti të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë. Libri, i nisur si ide në vitin 2004, është vendosur që të shkruhet më 2009 dhe vetëm këto ditë ka dalë në dritë. Ai gjendet në libraritë e Tiranës dhe rretheve. Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA ka marrë të drejtën ekskluzive të publikimit të pjesëve të përzgjedhura nga ky libër i vëllezërve Shyti.
Më poshtë lexoni se çfarë kanë deklaruar gjykatat ndërkombëtare në lidhje me rastin e vëllezërve Shyti:
Ja çfarë thuhet në Vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës, shenja e aktit IA. 129/2004. Lozanë, më 08.07.2004:
“Pak para zgjedhjeve të vitit 1996, regjimi i Sali Berishës inskenoi një show politik fantazie, me një grup terrori “Hakmarrja për Drejtësi”, qëllimi i së cilës paskësh qenë rrëzimi i pushtetit, vrasja e Sali Berishës, destabilizimi i shtetit dhe ndihma për ardhjen e opozitës në pushtet. Direkt para zgjedhjeve, shteti paskësh zbuluar grupin e terrorit, një banesë konspirative me armë dhe me një milion dollarë, si dhe dokumente të panumërt. Ky “sukses” ka kontribuar në fitimin e zgjedhjeve nga Sali Berisha”.Ndërkohë, ja çfarë shkruhet tek Vendimi i Komisionit Konfederativ i Rekurseve të Azilit, shenja e aktit II/N462 526/BS, Bazel, më 13 shtator 2004:
“Ai është djali i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, që ishte dënuar nga Berisha me 17 vjet heqje lirie. Në të gjitha aspektet, është i pafajshëm dhe procesi penal i ndërmarrë ndaj tij, ishte thjesht një shkak për ta përndjekur. BBF i janë paraqitur dëshmi të panumërta, sipas të cilave, Berisha kërkonte gjykimin e tij të menjëhershëm.... Berisha ka në Shqipëri, pushtet të konsiderueshëm....
Në atë kohë, Berisha ishte në pushtet, i cili për pak kohë pas zgjedhjeve (të përgjithshme) të vitit 1996, foli për një sukses të madh, për organizatën kriminale të supozuar “Hakmarrja”, të cilën e paskësh zbuluar, shpallur dhe kërkuar vetëm për të ripërsëritur fitoren e betejës në historinë e rizgjedhjes së tij”.
Më poshtë lexoni çfarë thuhet te Vendimi i Ministres së Drejtësisë së Belgjikës, artikull i vetëm. Bruksel, më 17.09.2004:
“Policia Federale përmend informacione që i ka marrë nga dy burime të ndryshme, që e klasifikojnë arrestimin e personit të kërkuar si të karakterit politik duke instrumentalizuar policinë dhe drejtësinë belge në kuadrin e larjes së hesapeve politike në politikën e Tiranës ... arsyet e arrestimit, datë 29.10.2003, duhet të kërkohen në konkurrencat partiake, ... konstatohen kontradikta të ndryshme ku manipulohen të dhëna, ... provat e këtyre manipulimeve mund të shpjegohen .., ecuria e ndjekjes penale nuk u bë e njohur deri në momentin kur autoritetet belge kërkuan informacione më të thella nga autoritetet shqiptare ...”.
Kurse te Vendimi i ministrit të Drejtësisë së Holandës, numri i çështjes UTL – I – 2005022422. Hagë, më 06.04.2006, thuhet:
“Gjykata në Goningen, me vendim të datës 22 mars 2006, shenja 06/113, ka shpallur të palejueshëm ekstradimin e personit që kërkohet, sepse vlerëson se nuk është e pabesueshme që ndaj personit të kërkuar ... vendimeve gjyqësore shqiptare që kundërshtohen, ka ardhur deri tek shkelja e hapur e nenit 6 të Konventës Evropiane për të drejtat e Njeriut....
“Ekstradimi është shpallur i palejueshëm me veprim të plotfuqishëm gjyqësor, në bazë të nenit 33, paragrafi i dytë ... Ministri e ka për detyrë që ta refuzojë kërkesën për ekstradim”.
Dje tek NOA: Rrëfimi i Leart dhe Orik Shytit për akuzat që i vishen nga shteti. Lexoni sonte mbi akuzën e lidhjeve të “Hakmarrjes” me Dritan Dajtin dhe si përfaljet morën hov gushtin që shkoi kur super i kërkuari vrau në Durrës 4 policë. Si Berisha “është përpjekur të na marrë jetën” dhe pohimi i vëllezërve Shyti. Lexoni gjithashtu dhe për”... ndihmën e pakursyer të Mero Bazes...”
“Hakmarrja”, rrëfehen Leart dhe Orik Shyti: Berisha na shkatërroi fëmijërinë dhe rininë
Nesër do të lexoni: “Në fillimet e një krimi që vazhdon – kur “Hakmarrja” nisi udhë...”
Mediat që kërkojnë publikimin, të dërgojnë një kërkesë në info@noa.al për të marrë falas, materialin e plotë në word dhe fotot.
NOA