Himarë, Zhvillohet Turneu Për Trofeun E Futbollit "Petro Ruci"
HIMARË, 24 Maj/ATSH-H.Koçi/.-Në Himarë, 70 km në jug të Vlorës, u zhvillua të dielën turneu për trofeun e futbollit "Petro Ruci", në kujtim të ish- futbollistit të shquar të skuadrës së futbollit "Flamurtari" dhe përfaqësueses shqiptare, i cili ndërroi jetë thuajse një vit më parë.
Në takimet e zhvilluara me këtë rast në stadiumin e qytetit të Himarës, me nismën e bashkisë së këtij qyteti dhe të klubit sportiv "Himara", morën pjesë ekipet e Butrintit, Flamurtarit dhe Himarës. Në përfundim të takimeve, që u ndoqën nga mjaft sportëdashës dhe miq e shokë, kolegë të ish- futbollistit Petro Ruci, trofeun e meritoi ekipi vendas, që fitoi të dy takimet ndaj skuadrave të tjera.
Me këtë rast, në mjediset e stadiumit të qytetit të Himarës, u zhvillua një ceremoni, ku ishin të pranishëm dhjetra ish- futbollistë e specialistë të futbollit, emra të shquar të këtij sporti në Shqipëri. Mes tyre, Bejkush Birçe, Fatmir Frashëri, Mexhit Haxhiu, Foto Strakosha, Alfred Zijai, Latif Gjondeda, Roland Iljadhi, përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët shprehën vlerësime maksimale për kontributin e Petro Rucit në futbollin vlonjat dhe atë kombëtar.
Familjarë të ish- futbollistit falenderuan të pranishmit për këtë vlerësim, ndërkohë që veçuan bashkinë e Himarës, klubin sportive "Himara" dhe drejtuesin e kësaj strukture, Vasil Ruci, që ndërmorën këtë veprimtari.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, theksoi se bashkia ka akorduar për Petro Rucin, titullin "Qytetar Nderi".
Ish- futbollisti Petro Ruci ndërroi jetë në 1 korrik të vitit të kaluar në një spital të Athinës, në moshën 52 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë në kokë.
Petro Ruci, është një nga emrat më të shquar të futbollit vlonjat në vite dhe atij kombëtar. Ai është aktivizuar me ekipet zinxhir të qytetit të tij të lindjes, Vlorës, qysh në moshën 14 vjeçare dhe shumë shpejt u bë një nga titullarët e "Flamurtarit". Ruci është një nga protagonistët e ekipit vlonjat të viteve '80-të, që, së bashku me emra të tjerë të shquar, si Kreshnik Çipi, Vasil Ruci, Rapo Taho, Alfred Ferko, Alfred Zijai, Eqerem Memushi, etj, e ngritën emrin e "Flamurtarit" në nivelet e futbollit evropian.
Pas viteve '90-të, Ruci emigroi në Athinë(Greqi), ku sërish u lidh me futbollin, duke punuar si ndihmëstrajner dhe trajner, me ekipe të ndryshme të moshave në kryeqytetin grek.
/s.s./