Histori/Fier: Nje Kostum Popullor Grash, Deshmi E Familjeve Feudale
FIER, 24 Maj /ATSH, Rr.Isufaj / - Në stendat e Muzeut Historik të Fierit, krahas kostumeve të shumta popullore,dallon një kostum gruaje, që paraqet veshjen qytetare të një familje feudale shqiptare, me zbukurimet qëndisur me ar, që vjen si trashëgimi i periudhës së para viteve 1920.
"Është një veshje qytetare grash, dhuruar bashkëshortes së Sami Bej Vrionit ditën e martesës nga gruaja e Esat Pashë Toptanit. Kostumi reflekton vlera të shumta etnografike, historike, por dhe sqimën bashkë me shijen e hollë të familjeve të pashallarëve", thotë për ATSH-në specialisti i muzeut, Nuri Plaka.
Sipas tij, vlerat etnografike qëndrojnë në tiparet karakteristike të jetës në oborret e familjeve të pashallëqeve. "Kostumi paraqet punim tepër cilësor me teknollogjitë më të avancuara të kohës, prodhuar në fabrikat e tekstileve angleze. Modeli i qepjes paraqet veshjen mondane festive, të importuar nga sallonet angleze. Dizinjimi i tij është harmonizuar me punën në filigranë (qendisje me fije ari) dhe temina, veçanrisht në bluzën e brëndshme dhe kapelen", thotë Plaka.
Ai thotë se ky është një kostum që flet edhe sot në kohërat moderne me gjuhën e kompozimit, dezinjimit, dekoracionit dhe ngjyrave të ndezura e të pastra.
"Dizenjimi shpreh nivel të lartë kompozimi, sidomos në dekoracionin e kombinuar me kultin floreal, ndërsa ngjyrat janë gjithashtu shprehje e preferencës së kohës. Bluja e errët dhe e kuqja e gjakut janë ngjyra karakteristike të përdorimit në oborrin mbretëror anglez", tregon Plaka.
Por ky kostum ka rëndësi, sipas tij, edhe për vlera historike, pasi nëpërmjet kësaj dhurate tregohen marrëdhëniet mes familjeve të pashallarëve në ato vite. "Pas kësaj dhurate qëndrojnë lidhjet, miqësirat, marrëdhëniet e ngushta familjare, komunikimi i ndërsjelltë mes dy familjeve feudale, Toptanit dhe Vrionit", thotë Plaka.
Ai shton se ky kostum grash u soll në muze në vitet e para të pasçlirimit, kur komunistët sekuestruan banesën e Sami Bej Vrionit./n.m/