English

Islami: Edi Rama Dështoi Me Grevën, Kutitë Nuk U Hapën

TIRANË, 24 Maj/ATSH/.- Sekretari për Çështjet Elektorale në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, në një intervistë dhënë sot për një të përditshme shqiptare, deklaroi se greva e urisë e socialistëve është dështimi i radhës i Edi Ramës dhe fatkeqësisht dhe i opozitës. "Kam votuar në mbledhjen e grupit kundër grevës së urisë, si një mjet ekstrem i papërshtatshëm dhe i dëmshëm për vendin e PS-në. E dija se me anë të saj Rama nuk do të arrinte asgjë, pasi ai nuk kërkonte zgjedhje të parakohshme, por vetëm rritjen e temperaturës politike deri në zgjedhjet e ardhshme vendore, ku do të jetë vetë kandidat për Bashkinë e Tiranës", tha Islami. Sipas tij, Rama e dinte shumë mirë se nuk do të kishte rinumurim të fletëve të votimit dhe kutitë e tyre nuk do të hapeshin dhe nuk do të fitonte asgjë më shumë se sa 'hapjen e kutive të materialeve zgjedhore'. "Hapja e kutive të materialeve zgjedhore kërkon të shitet si sukses i grevës apo i darkës; ky është thjesht mashtrimi i radhës, sepse asnjëherë kjo çështje nuk ka qënë temë tabu, por një standard i legalizuar qartë prej 20 vitesh në kodin zgjedhor. Dështimi i radhës do të lidhej me faktin që kauza e "hapjes së kutive të materialeve zgjedhore" së pari nuk është kauzë, por një veprim i thjeshtë juridik, por edhe nëse do të quhej i tillë, kjo do të ishte një arësye shumë e dobët për të bojkotuar 6 muaj Kuvendin, për të futur në grevë urie deputetë e militantë, bllokuar rrugët e vendit apo torturuar për të ardhur në manifestimet e përditshme punonjësit e administratave publike vendore ku drejton PS", theksoi deputeti Islami. Sipas tij, "kauza" e 'hapjes së kutive të materialeve zgjedhore' do të ishte realizuar për pesë minuta, duke vajtur në Kuvend vetëm për një seancë. I pyetur për rrugët e zgjidhjes së ngërçit politik, Islami gjykon se "klasa politike duhet ta rivendosë trenin në shinat e shtetit ligjor për t'u kthyer në normalitet. Zgjidhja e këtij ngërçi politik mund dhe duhet të vijë vetëm në kuadër të respektimit të Kushtetutës, të legjislacionit në fuqi dhe të vendimeve të gjykatave"./s.s./
KOMENTE