Kore E Veriut - Obama: Mjaft Me Akte Luftarake
UASHINGTON, 24 maj /ATSH-ANSA/ - Presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar Koresë së Veriut t'i japë fund "sjelljes së saj luftarake dhe kërcënuese dhe të kërkojë falje për sulmin e saj".
"Ne aprovojmë kërkesën e presidentit Lee (të Koresë së Jugut) se Koreja e Veriut duhet të kërkojë menjëherë falje dhe të dënojë përgjegjësit e sulmit dhe ç'është më e rëndësishme, t'i japë fund sjelljes së saj luftarake dhe kërcënuese", deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs.
"Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e Koresë së Jugut është e qartë dhe presidenti i ka urdhëruar komandantët e tij ushtarakë të koordinohen ngushtë me homologët e tyre koreanojugorë për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar akte agresive në të ardhmen", deklaroi Gibbs.
Obama është shprehur në një komunikatë se masat e vendosura nga Koreja e Jugut për Veriun, pas fundosjes së anijes luftarake Cheonan, "janë plotësisht të përshtatshme dhe se Seuli për vetëmbrojtje mund të vazhdojë të ketë besim në mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara".
Disa orë më parë Koreja e Jugut njoftoi se do t'i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendosë sanksione kundër Koresë së Veriut për sulmin dhe fundosjen e anijes luftarake Cheonan.
/e.v/