Kosove - Feith Nis Nje Vizite Ne Shba: Eshte Bere Progres, Por Reforma Duhet Te Vazhdoje
NË
PRISHTINË, 24 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kosova ka bërë progres, por reformat duhet të vazhdojnë, tha Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, i cili filloi sot një vizitë katërditore në Shtetet e Bashkuara për t'u konsultuar me institucionet dhe palët e interesuara kryesore në Washington DC.
Feith, siç bën të ditur zyra e tij, do t'i njoftojë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara në Departamentin e Shtetit, në Departamentin e Mbrojtjes dhe në Këshillin për Siguri Kombëtare, për zbatimin e mandatit të ICO-së. Po ashtu, Feith do ta mbajë nesër një fjalim në Institutin për Paqe të Shteteve të Bashkuara.
"U jam mirënjohës Shteteve të Bashkuara për përkrahjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që i kanë dhënë popullit të Kosovës, përfshirë punës së Zyrës Civile Ndërkombëtare. Jemi krenarë që kemi personelin amerikan dhe evropian, i cili punon së bashku në mision dhe çmojmë përkushtimin dhe kontributin e tyre", tha Feith.
"Është e qartë se ka shumë progres për t'u raportuar që nga vizita ime e fundit në Washington në vitin 2008. Unë po ashtu do të nënvizoj nevojën për përqendrim të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtar në reformat e nevojshme", shtoi ai.
Feith vlerëson se "populli dhe Qeveria e Kosovës janë të përkushtuar në ecjen drejt strukturave evropiane dhe atlantike dhe këtë përpjekje më së miri mund ta shtyjmë duke u dhënë përkrahje reformave". "Kemi parë hapa të rëndësishëm që janë ndërmarrë në decentralizim dhe në themelimin e Gjykatës Kushtetuese. Sfida tani është që të sigurohet që qeverisja e mirë dhe respektimi i të drejtave, veçanërisht ato të komuniteteve joshumicë, të bëhen tipare të palëkundshme dhe të pakthyeshme të Republikës së Kosovës", theksoi Fith. /a.ke/