English

Kosove - Opozita: Te Ndalohen Shkeljet E Sovranitetit Nga Vizitat Dhe Zgjedhjet Serbe

PRISHTINË, 24 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Të ndalohen shkeljet e sovranitetit nga vizitat e zyrtarëve të Beogradit pa lejen e autoriteteve të Prishtinës dhe nga zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, kërkojnë partitë oprozitare kosovare, në reagimet pas ardhjes dje për fushatën e zgjedhjeve serbe të 30 majit në veri të Mitrovicës të ish-kryeministrit serb, Vojislav Koshtunica. Aleanca Kosova e Re (AKR), parti e udhëhequr nga Behgjet Pacolli, në një reagim te sotëm, këto vizita fushatash dhe zgjedhje serbe i konsideron "shkelje të rëndë të sovranitetit të Kosovës dhe paqëndrueshmëri të çfarëdo zbatimi të strategjisë për Veriun". "I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të marrë masa të menjëhershme ndaj të gjitha veprimeve që po ndërmerr Serbia në dëm të shtetit të Kosovës", thekson reagimi i AKR-së. Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), sot në një takim të drejtuesve të saj, udhëhequr nga kryetari Nexhat Daci, "shprehu shqetësim lidhur me ardhjen e udhëheqësve të Serbisë në Republikën e Kosovës, vizita të cilat kanë qëllime politike për të destabilizuar situatën në vend". "LDD kërkon nga institucionet e vendit që të respektohet ligjshmëria dhe kushtetutshmëria për të gjitha proceset", theksohet në një komunikatë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka quajtur të palogjikshme deklaratat se Prishtina kujdeset që të mos bëjë ndonjë incident në raste të tilla. Por, sipas tij, "incident janë mbajtja e zgjedhjeve, incident është hyrja jashtë ligjit e këtyre njerëzve këtu". Shtypi i Prishtinës ka raportuar sot se "i përcjellë me truproja të armatosura, ish-kryeministri serb, Vojislav Kostunica, ka qëndruar të dielën në pjesën veriore të Kosovës pa leje të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare". /a.ke/
KOMENTE