Kukës: Ende Asnjë Gjurmë Nga Zhdukja E Vajzes 6-Vjeçare
KUKËS, 24 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Kërkimet e deritanishme nuk kanë sjellë të reja mbi fatin e 6- vjeçares B.M, nga fshati Zapod i Kukësit, e cila është deklaruar e zhdukur që nga dita e shtunë.
"Prej 48 orëve, mbi 15 forca të policisë dhe mbi 500 banorë të Zapodit prej dy ditësh, kanë shkelur të gjithë zonën, por nuk është gjetur asnjë lloj gjurme e fëmijës 6 vjeçare, zhdukur në mënyrën më misterioze", thotë kryetari i komunës, Dan Koloshi.
Edhe polcia s'ka të reja.
"Megjithë kërkimet intensive nuk ka ndonjë pistë të zhdukjes së vajzës 6- vjeçare, ndërsa hetimet vazhdojnë duke bashkëpunuar edhe me komunitetin", tha për ATSH-në zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Odeta Popa.
Ngjarja zë fill rreth orës 17:00 të datës 22 maj, kur babai i vajzës, Izmir Mata dha alarmin për zhdukjen e papritur të vogëlushes, që me gjithë kërkimet e deritanishme nuk ka asnjë gjurmë të fëmijës të fshatit Zapod, vetëm 400 metra larg kufirit me Kosovën. Kërkime për zbulimin e 6- vjeçares po bëhen edhe nga policia kufitare e Kosovës./ch/