English

Kuvendi Miraton Ligjin Për Qëndrimin E Përkohshëm Në Shqipëri Të Një Force Ushtarake Turke

TIRANË, 24 Maj/ATSH/.- Kuvendi miratoi sot pasdite në seancë plenare ligjin "Për dhënien e lejes së hyrjes dhe qëndrimit të përkohshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë të një force ushtarake turke". Ligji parashikon lejimin për një qëndrim të përkohshëm të një force ushtarake turke prej 1125 vetash në ujrat territoriale shqiptare, me qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet flotave të Turqisë dhe Shqipërisë. Në hapje të seancës së sotme, ku ishte e pranishme dhe opozita pas vendimit për ndërprerjen e bojkotit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, informoi deputetët për disa ndryshime në rendin e ditës, pas takimit me kryetarët e grupeve parlamentare, ndryshime që konsistonin në shtyrjen për në seancat e ardhshme të shqyrtimit të disa projektligjeve të parashikuara për punimet e sotme kuvendore. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, liberalizimi i vizave, greva e urisë, çështja e transparencës së zgjedhjeve dhe situata politike në vend, ishin disa nga temat kryesore ku u fokusuan deputetët gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës. Seanca e ardhshme plenare do të mblidhet më 3 qershor 2010. /a.s//a.ke/
KOMENTE