Lindje E Mesme - Fillon Gjyqi Në Izrael Për Gazetaren Anat Kam
- Akuzohet se i ka dhënë gazetës Haaretz rreth 2000 dokumente sekrete -
TEL AVIV, 24 maj /ATSH-ANSA/ - Fillon sot në gjykatën e rrethit të Tel Avivit gjyqi për gazetaren Anat Kam, e cila akuzohet se i ka dhënë gazetës Haaretz 2000 dokumente sekrete disa vjet më parë, gjatë kohës kur ajo kryente shërbimin ushtarak në komandën e përgjithshme izraelite në Cisjordani.
Në bazë të atyre dokumenteve, e përditshmja Haaretz publikoi një artikull të gjatë në të cilin pretendonte se ushtria izraelite kishte injoruar disa limite të rëndësishme që kishte vendosur Gjykata e Lartë për kapjen në Cisjordani të të kërkuarve palestinezë. Për këtë çështje hetoi prokurori i Përgjithshëm i Izraelit, Menachem Mazuz, i cili arriti në konkluzionin se akuzat e Haaretz ishin të pabaza.
Arrestuar dhjetorin e kaluar, Kam aktualisht mbahet në arrest shtëpiak. Mbajtur për shumë kohë si sekrete, kjo çështje u bë publike në Izrael vetëm pak javë më parë, pas presionit në rritje të medias.
Gazetari i Haaretz që publikoi artikullin në fjalë, Uri Blau, u largua nga Izraeli në fund të vitit 2009 dhe aktualisht ndodhet në Britaninë e Madhe, në pritje që të arrihet një marrëveshje ndërmjet gazetës për të cilën ai punon dhe Shin Bet, shërbimi izraelit i sigurisë.
Shërbimet e sigurisë insistojnë të marrin prej tij disa dokumente sekrete që pretendojnë se ai i disponon ende, pavarësisht se ka dorëzuar ato që mori nga Anat Kam.
/e.v/