English

Luksi i kohës së humbur

Shqipëria nuk e ka luksin e kohës së humbur. Pa asnjë dyshim që ne sot jemi të bindur në vendosmërinë tonë ndaj transparencës sepse ky është shërbimi më i madh që i bëhet të ardhmes europiane të vendit duke e nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve me zgjedhje të manipuluara

Valentina Leskaj*

Dua ta nis fjalën time me një falënderim për të gjithë ato gra e ata burra që me sakrificën e tyre sa sublime aq edhe dinjitoze, i dhanë një shans zgjidhjes së krizës që po mban vendin peng.

Falë tyre, e atyre dhjetra mijëra shqiptarëve që kanë mbështetur kauzën tonë për transparencë, tashmë të gjithë janë të bindur se çështja e transparencës së zgjedhjeve:

nuk është një çështje e brendshme e PS,

nuk është axhendë personale e një lideri, siç u bënë të gjitha përpjekjet për ta cilësuar.

Kjo u pa qartë se është një betejë për vlerat europiane.

Takimi i Strasburgut konfirmoi jo vetëm ekzistencën e krizës politike po edhe nevojën urgjente për ndërhyrje duke i hapur rrugë zgjidhjes së sajë.

Padyshim që afati ultimativ dyjavor, është një këmbanë alarmi për të dyja palët dhe ne e kemi lexuar si të tillë.

Pse e kemi lexuar si të tillë, kemi ardhur edhe sot në Parlament, për ti dhënë një shans zgjidhjes së krizës.

E kemi bërë këtë duke qenë të qartë për nevojën e zgjidhjes, e pa komplekse, sic kemi dëshmuar edhe më parë, përpara anëtarësimit të vendit në NATO sepse jemi dëshmuar si një opozitë ofruese jo refuzuese.

Ne besojmë dhe kemi ardhur me bindjen se është momenti për të dëgjuar partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët pasi na nxitën e mbështetën për disa muaj për të gjetur një zgjidhje, u detyruan të vinë në një kërkesë ultimative.

E dëshmuam edhe tre muaj më parë vullnetin tonë për zgjidhje dhe respektin ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, kur në 26 Shkurt, me këshillën e tyre erdhëm në Parlament.

Në fakt (në 26 Shkurt) erdhëm në parlament për të ofruar një qasje që u refuzua nga ju duke e zgjatur agoninë, që mund ta kishim zgjidhur që atëherë duke ja kursyer vendit thellimin e krizës.

Sot ne jemi përsëri këtu për të kontribuar po edhe për të kërkuar nga mazhoranca që të mos humbasë më shumë kohë.

Shqipëria ka humbur mjaft kohë në proceset integruese duke mbetur e fundit.

Unë shpresoj që ky moment ti shërbejë edhe këtij parlamenti, i cili më shumë se sa një institucion i demokracisë, më shumë se sa një tribunë e debatit politik, ku marrin rrugë zgjidhje problemet e mëdha që ka vendi, është përdorur prej një pale, kundër opozitës.

Më shumë se sa një institucion që kontrollon ekzekutivin është kthyer në një institucion i kontrolluar prej ekzekutivit.

Ky parlament ka nevojë për një qasje të re, që ti shërbejë demokracisë funksionale jo luftës ndaj opozitës.

Sot ky parlament ka mundësi ti kthejë dinjitetin vendit duke I hapur rrugë zgjidhjes së krizës.

Çdo qeveri demokratike, e arsyeshme e që vë interesat e vendit mbi ato të vetat, do ta kishte lënë mënjanë kokëfortësinë e do ti kishte hapur rrugë zgjidhjes për të mirën e vendit.

Për fat të keq kjo mazhorancë nuk po jep shenja të reflektimit kjo u lexua qartë edhe në deklaratën e sotme të Kryeministrit.

Po kjo mazhorancë nuk mund ta marrë zvarrë vendin, i cili edhe kështu ka humbur shumë kohë.

Shqipëria nuk e ka luksin e kohës së humbur.

Pa asnjë dyshim që ne sot jemi të bindur në vendosmërinë tonë ndaj transparencës sepse ky është shërbimi më i madh që i bëhet të ardhmes europiane të vendit duke e nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve me zgjedhje të manipuluara.

Është e vetmja rrugë për të kthyer besimin e zgjedhësve te sistemi.

Kjo është arsyeja themelore se pse për ne nuk është e pranueshme asnjë zgjidhje që nuk garanton hapjen e kutive, se pse për ne nuk mund të ketë transparencë me kuti të mbyllura apo fletë votimi të djegura.

(*) Fjala e deputetes së PS sot në Kuvend, qëndrimet janë personale

KOMENTE