English

Mbërrin Në Iaea Delegacioni Iranian Për Marrëveshjen Iran-Turqi-Brazil

VJENË, 24 maj /ATSH-AFP/ - Delegacioni i të dërguarve iranianë mbërriti pak më parë në rezidencën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (AIEA), Yukiya Amano, për t'i paraqitur zyrtarisht një letër përmes të cilës informohet agjencia e OKB-së për marrëveshjen irano-turko-braziliane mbi shkëmbimin e uraniumit, njoftoi një reporter i AFP. Një delegacion brazilian dhe një turk ndodhet po ashtu në Vjenë. "Letra do të dorëzohet drejtorit të AIEA-së në Vjenë, rreth orës 08:30 GMT'' ka deklaruar më par një zëdhënës i Organizatës Iraniane për Energjinë Bërthamore, Ali Shirzadian. Teherani ka deklaruar më 21 maj se ky dokument do t'i përcillej më 24 maj AIEA-së. Marrëveshja e nënshkruar më 17 maj në Teheran parashikon shkëmbimin në territor turk të 1 200 kilogramëve uranium iranian të pasuruar lehtësisht deri në 3.5 për qind kundrejt 120 kilogramëve lëndë bërthamore djegëse të pasuruar rreth 20për qind, të siguruar nga fuqitë e mëdha dhe të destinuar për reaktorin e kërkimeve bërthamore me qëllime mjekësore të Teheranit. Pavarësisht ofertës së re, SHBA arriti javën e kaluar të bindë Kinën dhe Rusinë të mbështesin një projektrezolutë të Këshillit të Sigurimit në OKB që parashikon një raund të katërt sanksionesh kundër Iranit./ /i.p/
KOMENTE