Tiranë, 24 maj, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka deklaruar dje se ligjet e vendit kanë hapësira për të zgjidhur krizën politike dhe se ai nuk ka marrë përsipër hartimin e asnjë dokumenti me ndërkombëtarët që do të sillte fundit e krizës politike.
I pyetur nga gazetarët, gjatë konferencës së dhënë sot për mediat, Meta ka theksuar se ligji është mjaft i qartë, duke qenë se është KQZ-ja ajo që i hap kutitë e votimit dhe më pas djeg fletët e votimit.
Z. Ministër, eksponentë të ndryshëm të opozitës mbështesin variantin sipas të cilit keni qenë ju që keni negociuar një marrëveshje që është bërë pastaj e ditur me terma të përgjithshëm, që është përmendur edhe nga Ambasadori Bosch. Cili është versioni juaj për këtë? Së dyti, periudha dy-javore që u la pas darkës së famshme tek ‘Restorant Krokodili’, a mendoni se është e mjaftueshme për të arritur një kompromis?
"Unë dua të shpreh keqardhjen për çdo përpjekje për të keqinterpretuar angazhimin tim pikërisht në drejtim të zëvendësimit të grevës së urisë me dialogun politik, për ti dhënë një zgjidhje gjithë pretendimeve të opozitës bazuar në parimin e transparencës dhe të kushtetutës për sa i takon shqetësimeve të ngritura për hetimin e zgjedhjeve të fundit të bëra nga ana e saj. Për fat të keq, me përpjekjet për të paraqitur si autor të propozimit në fjalë personin tim, dua të shpreh keqardhjen sepse jo vetëm që nuk kam marrë përsipër asnjëherë për të diskutuar mbi një formulë konkrete por absolutisht dua të siguroj se e kam patur dhe e kam shumë të qartë nenin përkatës ku bëhet fjalë për administrimin e të gjithë materialeve zgjedhore, ku bëhet shumë e qartë se KQZ-ja i hap të gjitha kutitë e votimit, ku bëhet e qartë se një pjesë e tyre, sipas këtij neni, transferohet në arkivin e shtetit dhe ku bëhet po kaq e qartë se të gjitha fletët dhe kundër-fletët e votimit digjen nën monitorimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve"
Por natyrisht unë nuk mund të ndaloj askënd që të bëjë keqinterpretime, që të bëjë spekulime, ajo është e drejta e tyre, por sigurisht që kjo nuk është rruga për të ecur drejt një zgjidhjeje serioze e cila garanton të gjithë transparencën, duke respektuar kushtetutën, duke respektuar kuadrin ligjor të vendit. Unë përsëri vazhdoj të inkurajoj vazhdimin e këtij dialogu që ka nisur dhe besoj që janë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë aq më tepër që për zgjidhjen e këtij dialogu janë investuar edhe drejtuesit e të dy grupeve kryesore në Parlamentin Evropian, të Popullorëve dhe të Socialistëve respektivisht".
Z. Meta, a mendoni se mund të ngrihet sërish çështja e votave pasi Kryetari i Partisë Socialiste Rama tha se nuk ka hequr akoma dorë nga kjo kërkesë, pra edhe rinumërimi i votave, a mendoni se kjo pikë mund të sjellë një ngërç që kërkon negociata?
"Asgjë nuk ka përse të sjellë ngërç në rast se ekziston vullneti për të lexuar siç duhet, edhe kushtetutën edhe kodin, edhe të gjitha ligjet në fuqi. Unë besoj se ekziston e gjithë hapësira kushtetuese, ligjore që këto pretendime të marrin rrugën e tyre drejt zgjidhjes apo verifikimit të tyre".
Zoti Meta, kur ju deklaronit kohë më parë se zgjidhja duhet të vijë brenda transparencës dhe kushtetutës, kishit pikërisht parasysh këtë pjesë, pra hapjen e materialeve zgjedhore si zgjidhje për ngërçin?
"Unë kam shprehur bindjen se ekziston hapësira e duhur dhe më duhet të theksoj edhe një herë që për çdo pretendim, kushtetuta besoj se është e qartë, kodi është i qartë, ligji është i qartë, se duhet vetëm vullneti për t’i respektuar ato nga të dy palët".
Fund