Meta Përshëndet Miratimin E Rezolutës Për Kosovën
TIRANE, 24 Maj/ ATSH, A.Gegvataj/ - Në një konferencë për shtyp, zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta përshëndeti miratimin e Rezolutës se Organizatës së Konferencës Islamike për Kosovën, që u mbajt në Dushanbe (Taxhikistan).
Meta deklaroi se kjo rezolutë shënon një arritje të vecantë në njohjen e mëtejshme të shtetit të ri dhe të pavarur të Kosovës.
"Rezoluta evidenton qartësisht interesin e vendeve të organizatës së Konferencës Islamike për gjithë popullin e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike, apo fetare dhe rëndësisnë e tij për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit si një i tërë", pohoi Meta.
Sipas tij, rezoluta reflekton progresin e bërë në Kosovë pas pavarësisë në përforcimin e institucioneve demokratike në të gjitha nivelete dhe se pavarësia ka krijuar nje klimë paqësore me ndikim pozitiv në mardhëniet ndëretnike jo vetëm në Kosovë.
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta shtoi se në këtë dokument është përshendetur klima e qetës dhe paqësore e zgjedhjeve më të fundit të përgjithshme vendore në Kosovë, pjesëmarrja e gjërë e komunitetit serb atje, angazhimin e autoriteteve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar për forcimin e shtetit ligjor në të gjithë territorin e Kosovës.
"Për herë të parë, vendet e kësaj organizate përmes rezolutës së miratuar, mirëpresin përpjekjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të gjithë Ballkanit perendimor, si një kontribut vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal", përfundoi Meta./n.m/