Tiranë, 24 Maj, NOA /Milena Selimi - Fasada qendrore e Muzeut Historik Kombëtar është sërish në ‘shënjestër’, e këtë herë, jo për të diskutuar mozaikun, por për t’iu nënshtruar restaurimit.
Skelat e ngritura në faqen ballore të tij tregojnë për një vendim të marrë nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Tiranës dhe Instituti i Monumenteve.
Prej disa ditësh, ata filluan zbatimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e mozaikut në faqen ballore të MHK-së. Specialistët tregojnë se mozaiku do t'i nënshtrohet një faze të parë, që është ajo e studimit dhe e evidentimit të të gjitha nevojave për ndërhyrje.
Pastaj do të vazhdohet me fazën e restaurimit.
Mozaiku masiv prej 440 metrash katrorë, ka vite që paraqet probleme në shkëputjen e copëzave që e formojnë atë, për shkak të veprimit të faktorëve atmosferikë.
Mësohet se restaurimi i mozaikut do të kushtojë rreth 1.5 milionë lekë të reja.
Restaurimi i kësaj vepre është padyshim një lajm i mirë, me gjithë debatet që ka hapur për shkak të përmbajtjes së tij.
Edhe pse specialistët mund të ngrenë pretendimin se një ndërhyrje e tillë ka nevojë për kohë të thatë, zbatimi i këtij projekti, pikërisht në këtë periudhë të vitit, mund të sjellë zvogëlimin e vizitorëve në Muzeun Historik Kombëtar.
Nuk dihet koha e saktë e restaurimit, por duhet thënë se në këtë vepër nuk është vënë dorë prej kohës së ngritjes së tij, gati 30 vjet më parë.
m.s/n.e/NOA