English

"Nderi I Kombit" Për Piktorin E Shquar Shqiptar, Lin Delija

- Hapet në mjediset e Presidencës një ekspozitë me vepra të përzgjedhura të piktorit të shquar shqiptar- TIRANE, 24 Maj/ATSH/.-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi sot me Urdhrin "Nderi i Kombit" piktorin e shquar shqiptar Lin Delija (pas vdekjes), me motivacionin: "Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve". Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Topi vlerësoi se Lin Delia është njëri prej piktorëve më origjinalë bashkëkohorë shqiptarë dhe njëkohësisht edhe më i veçanti për fatin dhe për aktivitetin e tij. "Ai i ka munguar shumë gjatë Shqipërisë, si bir dhe shprehës gjenial i etosit dhe i shpirtit shqiptar, por më në fund ai po kthehet nga rrugëtimi i nisur më se gjashtë dekada më parë në kërkim të lirisë dhe të mundësisë së shprehjes të shpirtit të tij artistik", tha Presidenti Topi. Presidenti i Republikës vuri në dukje se Lin Delija, kudo që jetoi dhe punoi, në Zagreb, në Romë, në Osimo apo në Antrodoko, peneli i tij nuk reshti së shprehuri lidhjet e natyrshme me tokën e vet, rrënjët e paprera me vendlindjen dhe ëndrrën e pashuar për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. "Lin Delija vërtet ishte një piktor që realizoi portrete, skena, peizazhe të përjetshme, por me aq sa kemi mësuar deri tani për jetën e tij, ishte edhe mbajtësi i një porosie atdhetare, intelektuale e shqiptare që e mori me vete në arrati në botën e lirë", tha Presidenti Topi, duke shtuar se "ne sot prekemi dhe biem në mendime kur mendojmë që studion e tij e ka vizituar Nënë Tereza, bile mesa dimë, është unikal rasti që Nënë Tereza pozoi për të vetmin piktor, dhe ky është Lin Delija". Presidenti Topi falenderoi nga zemra Italinë dhe popullin italian, dhe në veçanti qytetin e Antrodokos dhe qytetarët fisnikë që me aq dashuri çmuan dhe strehuan, bashkëjetuan dhe ndanë vlerat së bashku me piktorin e madh, Lin Delija, duke theksuar se "ky bir i Shkodrës, u bë bir në shpirt i Antrodokos, qytet që i zëvendësoi vendlindjen e humbur dhe dashurinë e njerëzve të gjakut të vet". Ndërsa zoti Aleksandër Delija, i vëllai i piktorit të shquar, pasi mori në dorëzim Urdhërin e lartë, shprehu mirënjohjen për respektin e lartë dhe vlerësimin nga Presidenti i Republikës për këtë dekoratë për profesorin Lin Delija. Po sot, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe në bashkëpunim me Komunën Antrodoko dhe shoqatën "Lin Delija" në Itali, u përurua në mjediset e Presidencës një ekspozitë me vepra të përzgjedhura të piktorit të shquar shqiptar. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Presidencë ishin personalitete të larta të artit dhe të kulturës në vend, kolegë, miq e të afërm të piktorit, si dhe Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D'Elia./s.s./
KOMENTE