Ksamil, 24 Maj, NOA - Mbi 200 ndërtime pa leje në zonën e Butrintit dhe Ksamilit do të përfshihen në një operacion të iniciuar nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik, i titulluar “Pastrimi i Rivierës”, i cili ka si qëllim pastrimin e kësaj zone turistike, arkeologjike dhe ekologjike prej tyre.
Lajmi konfirmohet nga burime pranë këtij institucioni për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dijeni se ky operacion do të nisë ditën e sotme, ndërsa pritet që të përfundojë brenda pak ditësh.
Për këtë, Inspektoriati Ndërtimor ka mobilizuar 7 mjete të rënda si ekskavatorë, matrapikë dhe të llojeve të tjera, si edhe 30 punonjës, të cilët do të nisin njëkohësisht punën që si hap të parë ka rehabilitimin e kësaj zone të mbuluar nga ndërtimet pa leje.
Shumë hapësira urbane me vlera turistike, arkeologjike, kulturore dhe mjedisore janë dëmtuar seriozisht nga ndërtimet pa leje që janë përhapur pa asnjë lloj kriteri pavarësisht Planit Urbanistik që ka për këtë zonë.
Sipas urbanistëve, rregullimi sa më parë i zonës së Ksamilit dhe të tjerave në bregdet apo gjetkë, është një nevojë urgjente për krijimin e hapësirave urbane për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e huaj.
Ndër të tjera, bëhet me dije se pastrimi i Butrintit dhe Ksamilit do të pasohet në javët e ardhshme edhe në bashkinë Himarë si dhe në Derdenesh, zonë mes Ksamilit e Sarandës.
n.e/NOA