English

"Pastrimi I Rivierës", Operacioni Më I Madh Për Prishjen E Ndertimeve Pa Leje Në Butrint Dhe Ksamil

TIRANE, 24 Maj/ATSH/.- Mbi 200 ndërtime pa leje do të përfshihen në operacionin "Pastrimi i Rivierës", që Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të zbatojë në zonën e Butrintit dhe Ksamilit. Operacioni "Pastrimi i Rivierës" ka si qëllim pastrimin e kësaj zone turistike, arkeologjike dhe ekologjike nga ndërtimet e paligjshme, bëri të ditur zëdhënësi i këtij Inspektoriati në një njoftim për shtyp. Operacioni pritet të nisë sot dhe të përfundojë brenda pak ditësh. Për të realizuar pastrimin e një prej zonave më të vlerësuara turistike dhe arkeologjike në vend, Inspektoriati Ndërtimor ka mobilizuar 7 mjete të rënda si eskavatorë, matrapikë dhe lloje të tjera, të cilat do të nisin punën, që si hap të parë ka rehabilitimin e kësaj zone të mbuluar nga ndërtimet pa leje. Gjatë kësaj jave, në operacionin "Pastrimi i Rivierës", Inspektoriati Ndërtimor ka angazhuar 30 punonjës, si inxhinierë urbanistë, punonjës të grupeve të gatshme, etj. Në operacionin rehabilitues të zonës do të jenë si pjesë mbështetëse dhe rreth 100 forca të ndryshme të Policisë së Shteti, si punonjës të Forcave Speciale, ata të drejtorisë së Policisë të Qarkut të Vlorës dhe punonjës policie të Sarandës. Shumë hapësira urbane me vlera turistike, arkeologjike, kulturore dhe mjedisore janë dëmtuar seriozisht nga ndërtimet pa leje që janë përhapur pa asnjë lloj kriteri pavarësisht Planit Urbanistik që ka për këtë zonë. 7 mjetet pastruese të Inspektoriatit Ndërtimor do të pastrojnë Ksamilin nga 'kanceri urban', që janë ndërtimet pa leje. Sipas urbanistëve, rregullimi sa më parë i zonës së Ksamilit dhe të tjerave në bregdet apo gjetkë, është një nevojë urgjente për krijimin e hapësirave urbane për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e huaj. Pastrimi i terreneve nga ndërtimet nga ky 'kancer urban' do të jetë ndër motot e punës së Inspektoritatit Ndërtimor gjatë muajve të ardhshëm. Pastrimi i Butrintit dhe Ksamilit do të pasohet në javët e ardhshme edhe në Bashkinë e Himarës si dhe në Berdenesh, zonë mes Ksamilit dhe Sarandës. Operacioni "Pastrimi i Rivierës" synon të hapë rrugën për zhvillimin e një turizmi elitar dhe të qëndrueshëm në bregdetin e Jonit dhe planifikohet të ketë disa faza, të cilat do të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Komuna e Ksamilit është një ndër më të rëndësishmet në brigjet e Jonit. Veç potencialeve për turizmin e diellit dhe detit, në këtë komunë gjendet Parku Arkeologjik i Butrintit, një ndër më të rëndësishmit në Ballkan. Prej vitesh UNESCO dhe Parlamenti shqiptar e kanë shpallur zonë me status të veçantë, por që fatkeqësisht ndër vite është cënuar nga ndërtimet pa leje. Po kështu, në këtë komunë është dhe një prej liqeneve të rralla në llojin e tij, ai i Butrintit. Në të kultivohen disa lloje midhjesh, të cilat kërcënohen nga ujrat e zeza të ndërtimeve pa leje që derdhen në liqen dhe në ambientin përreth, duke ndotur kështu ujin dhe tokën. /s.s./
KOMENTE