Peru - Tërmet 6 Ballë Në Jugperëndim Të Vendit
LIMA, 24 maj /ATSH-AFP/ - Një tërmet me fuqi 6 ballë ra dje në rajonet Arequipa, Ayacucho, Ica dhe Lima, në jugperëndim të Perusë, pa shkaktuar dëme, njoftoi Instituti gjeofizik i Perusë, IGP.
Tronditja u ndje në orën 17:46 (22:46 GMT) dhe epiqendra e tij u lokalizua 28 kilometra në jugperëndim të qytetit Huancos Sancos, në rajonin Ayacucho dhe në thellësinë 115 kilometra.
Në Lima, popullsia e frikësuar doli menjëherë në rrugë.
Të mërkurën, një tërmet me fuqi 6,4 ballë goditi një zonë të thellë në veri të vendit.
IGP-ja nuk dha njoftime për viktima ose dëme.
Peruja, në veri të Kilit, në brigjet e Paqësorit, ndodhet në një nga zonat më aktive në botë në planin sizmik.
Tërmetet me fuqi 4 deri 5 ballë, madje dhe 6 janë të shpeshtë.
Tërmeti i fundit i fortë në Peru, me fuqi 7,9 ballë shkaktoi më tepër se 500 të vdekur dhe 200 000 të lënduar në gusht të vitit 2007 në rajonin Pisco dhe Ica në jug.
/I.Pu.