English

Poloni - Bilanci I Përmbytjeve Rritet Në 15 Të Vdekur

VARSHAVË, 24 maj /ATSH-AFP/ - Përmbytjet në Poloni, nga vërshimet e lumenjve Vistula dhe Older, kanë shkaktuar 15 të vdekur, mësohet nga një bilanc i ri dhënë sot AFP-së nga zëdhënësi i skuadrave të ndihmës, Pawel Fratczak. "Bilanci është rënduar në 15 të vdekur", deklaroi Fratczak. Qindra mijëra hektarë janë përmbytur nga këto vërshime, "të një game të paprecedentë për lumenjtë Vistula dhe Oder që prej vitit 1884", bëri të ditur ai. Ministri i Brenshëm Jerzy Miller pranoi sot se situata në Vistula, lumi më i madh i Polonisë, është më e rëndë nga sa mendohej. Disa diga janë çarë tashmë sidomos pranë Sandomierzit (në juglindje) dhe Plock-ut (në qendër), duke shkaktuar përmbytjen e disa lokaliteteve. Në Varshavë, një bulevard i madh përgjatë lumit Vistula u mbyll sot për qarkullimin dhe pati njoftime për rrëshqitje toke. Rreth 200 shkolla ishin të mbyllura sot në lagjet e kryeqytetit që ndodhen në brigjet lumenjve. Në të gjithë vendin, mijëra persona janë evakuuar dhe disa ekipe ndihme janë dërguar nga Gjermania, Franca, Ukraina, Lituania, Letonia, Estonia dhe Republika Çeke, bëri të ditur Fratczak. /I.Pu.
KOMENTE