English

Profil/ Gjergj Leqejza, Ish-Volejbollisti I Shquar, Lider Në Biznesin E Fasoneve

SHKODËR, 24 Maj /ATSH-G. Marku/ - Në Shkodër e më gjerë, Gjergj Leqejza është njohur fillimisht si volejbollist i Vllaznisë, Studentit dhe ekipit kombëtar, por pas laurimit për Financë në Universitetin e Tiranës, shpejt do të bëhej po aq i njohur në profesion, si shef finance pranë ndërmarrjeve shtetërore gjeologjike, fillimisht në Pukë, më pas në Shkodër. Me nisjen e ekonomisë së lirë pas viteve 90, Leqejza nisi biznesin privat me shoqërinë "Madsh" sh.p.k, e cila më pas, u shndërrua në kompaninë e sukseshme "Shqipëria-Trikot", siç njihet sot, partnere e grupit italian "Cotonella", i njohur në botë për prodhimin e veshjeve të brendshme. Kompania "Shqipëria-Trikot" sot ka mbi 700 punonjës, kryesisht gra dhe vajza, që prodhojnë artikuj të shumëllojshëm, biankeri për fëmijë, të rritur dhe të moshuar. Së fundmi, ajo e ka zgjeruar gamën e prodhimit edhe në pizhameri. "Vitet e fundit kriza ekonomike ka pasë ndikimet e veta, por falë organizimit të përsosur të grupit Cotonella, ne kemi arritur me shumë sukses që të minimizojmë pasojat," thekson Leqejza Bashkëpunimi me italianët? I përsosur I pyetur për bashkëpunimin me palën italiane, Leqejza, shprehet se që nga dita e parë që është njohur dhe lidhur me to dhe deri tani ai ka qënë i përsosur në të gjitha drejtimet. "Kam filluar marrëdhëniet me grupin Cotonella në fillimvitin 1995 dhe që atëherë vazhdon një bashkëpunim shumë i frytshëm, që do të vazhdojë më tej me projektin e ri që do të lançojmë për marketingun e prodhimeve tona në arenën ballkanike," thotë administratori i "Shqipëria Trikot". Suksesin e bashkëpunimit me palën italiane, e sheh kryesisht tek korrektesa mes palëve në zbatimin e të gjitha atyre që ato hartojnë së bashku. Një ndër veçoritë kryesore që e ka bërë të suksesshme punën në biznesin e tij në Shkodër, Leqejza thotë se është dhe besimi që i ka lënë partneri i tij italian për drejtimin e aktivitetit vetëm me personel shqiptar. Teknologji moderne dhe bashkohore Për t'a vizituar ndërmarrjen "Shqipëria Trikot" duhen jo vetëm orë të tëra, pasi hapësirat ku janë sistemuar repartet e punës, proceset e përpunimit teknolologjik e kompjuterik, depot e magazinat, pa lënë mënjanë edhe zyrat e administratës, janë të pafundme. Në të vertetë, është vetëm një pjesë e aktivitetit të ndërmarrjes, pasi ato shtrihen edhe në gjashtë degë të tjera prodhimi. "Këtu jemi në logjistikë, pra vetëm pjesa e magazinave të lëndës së parë, prodhimi i gatshëm dhe zyrat, në një sipërfaqe nga 18 deri në 20 mijë metër katror, një objekt i ri i standartit europian, sepse përveç çertifikimit nga më të komplikuarit dhe më bashkëkohorët, çdo vit, minimum i nënshtrohemi kopntrollit për standardet e cilësisë në institucionet e specializuara në Itali dhe sidomos nga klientët tanë kryesorë, që janë shumë rigoroz dhe kërkues në respektimin e cilësisë", tregon Leqejza. Tregu në eksport, por tashmë edhe në Shqipëri "Kryesisht prodhimi ynë shkon në tregun italian, por, gjithsesi, edhe në një sërë shtetesh të Bashkimit Europian, ose më tej," thotë drejtuesi i "Shqipëria Trikot". Sipas tij, këto ditë kjo ndërmarrje po përgatitet të fillojë një projekt mjaft ambicioz për të shitur prodhimet e saj "Cotonela" në gjithë tregun shqiptar të Ballkanit. "Për këtë jemi përgatitur mjaft mirë dhe shumë shpejt pretendojmë të fillojmë, pasi jemi ambiciozë për rezultatet që do të arrijmë," thekson ai. Gjergj Leqejza, Konsull Nderi i Austrisë Gjergj Leqejza është zgjedhur Konsull i Nderit i Austrisë për rajonin verior, një detyrë që e kryen më shumë dëshirë dhe pasion, pa dëmtuar biznesin e tij privat. "Shiko, kjo është pjesa më e bukur që bëj me shumë qejf, ndofta dhe më shumë se gjithë gjërat e tjera, sepse ta kesh një detyrë të tillë, është privilegj," thotë ai. Dhe gjithçka është vullnetare, por Gjergj Leqejza gjykon se është nder maksimal që mundet me t'i bëhet dikujt për të qenë Konsull i Nderit i një vendi si Austria, një shtet që ka qënë historikisht mik ndër më të mirët i popullit dhe shtetit shqiptar e në veçanti, Shkodrës dhe rajonit verior përreth./ch/
KOMENTE