English

Pse e bojkotuam Parlamentin

Ne nuk e bojkotuam parlamentin për ta futur vendin në krizë, por kriza e vendit na shtyu në bojkotin e parlamentit. Ne nuk i vazhduam protestat për të thelluar krizën, por thellimi i krizës diktoi vazhdimin e protestave

Nga Edi Rama*

Asnjëherë një ngjarje e jetës sime politike nuk më ka prekur të gjithin, në mish e në shpirt, kaq fortë sa greva e urisë. Asnjëherë sa gjatë asaj greve Partia Socialiste nuk më është dukur forca e njerëzve, me njerëzit, e për njerëzit e këtij vendi. E asnjëherë nuk do ti gjej dot fjalët për ta përshkruar mbresën e thellë që ka lënë tek unë sakrifica e të gjithëve ju, për të cilën nuk di si ta falënderoj secilin prej jush.

Jam i sigurt se shumëçka nuk është njësoj, pas grevës së urisë, ju nuk jeni njësoj, ne nuk jemi njësoj. Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar nuk është njësoj. As kauza jonë nuk është aty ku ishte kur nisi greva. Falë grevës ka rënë tabuja e kutive të mbyllura. Me sakrificën tuaj në radhë të parë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të popullit opozitar, që u derdh në protesta të paharrueshme, kutitë de fakto janë hapur.

Është hapur shtegu që nxjerr në rrugën e transparencës, asgjë nuk ka mbaruar. Por një tryezë e organizuar nga faktorët dhe aktorët më të rëndësishëm të komunitet ndërkombëtar, është ngritur posaçërisht për të zgjidhur problemin e shtruar prej nesh në nëntë muaj të gjatë përpjekjesh të jashtëzakonshme.

Më shumë se faleminderit të gjithëve ju motra dhe vëllezër grevistë në radhë të parë, i keni dhënë kauzës sonë një shtysë të madhe përpara. Opozitës një fuqi të re morale, politikës një përmasë ripërtëritëse njerëzore.

Më shumë se faleminderit një për një, secilit e secilës prej jush, që e sfiduat pushtetin me pasionin dhe me plagët e një rezistence të pashoqe dhe e ulët në tryezë ku sot problemi madhor i transparencës kërkon zgjidhje brenda dy javësh. Por duke ju kërkuar ndjesë për harresën time të diktuar nga emocionet e forta, gjatë falënderimeve publike të momentit të mbylljes së grevës, do doja të veçoja këtu qysh në fillim Armando Subashin dhe Ervin Koçin me të gjithë djemtë e Fierit.

Fatos Tushen me Lushnjarët, Pirro Lutaj me grupin e Mallakastrës, Arben Ahmetaj me grevistët korçarë dhe Asllan Dogjanin me çunat e Kukësit.

E gjithsesi edhe njëherë më shumë se faleminderit grave dhe vajzave greviste. Të cilat për shkak të cinizmit të skajshëm qeveritar, u përballën jo vetëm me vuajtjen e urisë, por edhe me sulme e shpifje të denja për kohët më të zymta të mungesës së lirisë në këtë vend. Mirënjohje dhe admirim për Ermonelën, Shegën, Ledin, Oltën, Anilën, Florën, Elisën, Mimozën. Të cilës i them se u bë një vlerë e shtuar në përpjekjen tonë, duke bashkuar sakrificën e saj me grevën, në emër të së drejtës së pronës.

Askush s’ma merr për keq veçimin e Elsës, në një falënderim special që e bëj në emrin e të gjithëve ju. Faleminderit Elsa, jo vetëm për gjestin tënd të pa çmueshëm të hyrjes në grevë, që ishte një leksion për të gjithë ata që në emër të paanshmërisë së tyre, në fakt bëhen shërbëtorët në anë të së keqes. Por edhe për të gjithë energjinë e jashtëzakonshme pozitive që përçove tek të gjithë ne, gjatë gjithë ditëve të qëndrimit tënd në çadër.

Faleminderit Fatmirit që u kujdes me gjithçka e për gjithçka deri në detaje. Blendi Klosit që nuk u kujdes as për veten.

Gjovalinit, Gazit, Tanit që rrezatuan në çdo moment besim të pa lëkundur. Besnik Bares që megjithë plagët e marra u rikthye nga spitali në çadër. Agim Lekës që gjendet ende në spital dhe të gjithë i urojmë shërim të shpejtë.

Skënder Hasës, Taulant Ballës, Ilir Beqes, Arben Malajt, Eltar Dedës dhe djemve të Vlorës, që kurrë nuk treguan një shenjë lodhjeje.

Faleminderit Erjon Velisë, që pas kësaj greve është më në hall se c'ishte para kësaj greve, se e ka më të vështirë ti përgjigjet pyetjes: Çfarë do më jashtë Partisë Socialiste?

Dhëntë Zoti që këtë herë të mos kem harruar asnjeri siç më ndodh gjithmonë. Më lejoni të nënvizoj diçka të rëndësishme, e tha pak Olta në fjalën e saj, që u falënderuan të mandatuar nga populli. Të cilët me këtë grevë e me këtë sakrificë i dhanë mandatit të marrë, vulën e një qytetarie, që le ta themi, politika nuk e ka pasur. E më shumë akoma i provuan të gjithë atyre që u thirrën e u rithirën përsëri të votojnë për PS-në dhe opozitën tonë të bashkuar, se ne themi atë që bëjmë e bëjmë atë që themi. Por le të mos harrojmë se sakrificat e të tjerëve, e burrave dhe djemve që nuk i përmendëm këtu me emër, por që njësoj si deputetet e deputetet ju nënshtruan pasionit të tyre për të vërtetën, duke e bërë këtë sakrificë, meritojnë një duartrokitje të veçantë, një mirënjohje të veçantë, një admirim të veçantë. Për faktin se i dhanë PS-së një fuqi të re morale përballë të cilës ju siguroj motra dhe vëllezër, askush nuk na ndal dot.

Faleminderit mjekëve dhe mjekeve, profesor Sabitit, profesor Tanit, Alketës, Klodit e të gjithë me radhë.

Faleminderit vajzave që shërbyen pa vënë gjumë në sy, duke merituar admirimin unanim të të gjithë grevistëve, që sa herë më takonin nuk linin pa përmendur sesa mirë ndjeheshin të rrethuar me gjithë atë kujdes.

Faleminderit Belës që meriton duartrokitjen tonë më të përzemërt, në mungesë. Endrit, Armelës dhe gjithë zyrës së komunikimit.

Faleminderit pa dyshim edhe të gjithë të tjerëve që i mbështetën të gjithë grevistët. Po meqë askush nuk e bëri më parë, ndoshta askujt më parë nuk i takonte ta bënte sa më takon mua, unë dua të falënderoj aleatët tanë. Aleatët tradicional dhe aleatët e rinj dhe jam i bindur që ata ishin dhe janë një vlerë e shtuar në këtë betejë. Jam i bindur që fjalimet e Spartak Ngjelës, fjalët e profesor Skënderit, urtësia e profesor Paskalit, kontributi i Nardit, i Preçit po ashtu, pasioni prej demosteni i Vangjel Dules, ardhja e beftë por krejt e natyrshme e Kurt Kolës, e po ashtu e Gjergj Kojës. E po ashtu edhe e mikut tonë kryetarit të Partisë së Gjelbër, e me radhë të gjithë atyre që ju bashkuan kësaj proteste të madhe, nuk do të ishte absolutisht e plotë. Kështu që faleminderit miq dhe partner në një rrugë që sa ka filluar, për të ndërtuar një Shqipëri ku qeveria të jetë e njerëzve, të jetë për njerëzit e me njerëzit.

Më lejoni t'ju them se sot falë rezistencës së gjatë, durimit dhe këmbënguljes, pa dyshim e stërmundimit të grevës që e çoi në një kulm dramatik betejën tonë, ne jemi pranë zgjidhjes. Takimi i Strasburgut nuk ishte një darkë që u mbyll, por një tryezë që u hap, për zgjidhjen e problemit të madh, që ne kemi shtruar tash e nëntë muaj. Kush flet për dështim në rastin më të mirë nuk ka kuptuar asgjë. Ndërsa në rastin më të keq ka kuptuar se ne kemi arritur atë që askush, as vetë ne nuk e parafytyronim që mund të arrinim. Ngritjen e një tryeze me praninë e të majtës dhe të djathtës të Parlamentit Europian, me praninë e Komisionit Europian, të Bashkimit Europian, e madje dhe të SHBA-së. Të cilat megjithëse janë fizikisht jo të pranishme, kanë bërë të qartë mbështetjen e plotë për këtë tryezë.

Në ditët në vijim, brenda kësaj jave që sapo ka nisur tryeza do të vazhdojë në Tiranë në formën e negociatave që do të ndërmjetësohen nga një grup të dërguarish prej miqve e partnerëve të Shqipërisë të pranishëm në takimin e Strasburgut. Ndërkohë duhet të kuptohet qartë se afati prej dy javësh që i është lënë zgjidhjes ka karakter ultimativ. Që do të thotë se moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian e me çdo faktor të përfshirë në tryezë. Por padyshim thellimi i kësaj krize do të kishte pasoja të rënda jo vetëm lidhur me axhendën tonë europiane, por edhe mbi gjendjen e vendit. Për të gjitha sa thashë deri këtu ne jemi të angazhuar që të realizojmë zgjidhjen brenda dy javësh. E, po të jetë për ne edhe më shpejt, qysh sot, sigurisht pa hequr dorë për asnjë çast nga transparenca e shumëkërkuar. Shansi që i është dhënë zgjidhjes me ngritjen e tryezës së Strasburgut është një shans që nuk duhet humbur, sepse interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve e kërkon këtë. Ndërkohë që humbja e këtij shansi do të rëndonte jashtëzakonisht shumë pasojat e kësaj krize që i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të 28 qershorit. Hapja e kutive nuk duhet diskutuar më. Zgjidhja është pikërisht te mosdiskutimi më tutje i kësaj pike. As ngritja një orë e më parë e komisionit hetimor me shumicë dhe drejtim nga opozita dhe lejimi i hetimit të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve nuk duhen vonuar përtej kufirit të dy javëve. Dy javë janë më shumë se të mjaftueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi qasjen ndaj kutive të hapura, ashtu si edhe mbi çdo çështje të përfshirë në kuadrin e shqetësimeve tona për funksionimin e demokracisë shqiptare.

Lejomëni t’u them edhe disa fjalë atyre miqve, shokëve a dashamirëve që nuk ndjehen mirë me vendimin për mbylljen e grevës, me nisjen e këtyre përpjekjeve për një marrëveshje të negociuar ;

Ju të gjithë që mendoni se greva e urisë duhej vazhduar, dhe se takimi i Strasburgut duhej refuzuar. Mirëkuptoj thellësisht mosbesimin tuaj ndaj Sali Berishës dhe ndaj me ju bindjen se Saliu fatkeqësisht nuk hyn në kategorinë e kundërshtarëve të ndershëm që thonë atë që bëjnë dhe që bëjnë atë që thonë. Njësoj si ju nuk kam dyshim se deri në dekikën e fundit ai do të mundohet ti bishtnojë çdo zgjidhjeje të drejtë të problemit, duke u munduar të vjedhë kohë dhe ta pengojë transparencën që ne kërkojmë me 101 marifete. Por, nga ana tjetër ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast që në demokraci, as e zgjedhim kundërshtarin, që në rastin tonë ka qëlluar të jetë kaq i mbrapshtë dhe as për shkak të kundërshtarit që na ka qëlluar nuk mund të heqim dorë kurrë nga respekti për sistemin që kemi zgjedhur. Në këtë sistem dialogu është instrumenti i pandashëm nga çdo konflikt, sado i ashpër mes palëve dhe marrëveshjet e negociuara janë materializimi i rezultatit të çdo konflikti si ky që kemi. I cili nuk mund të zgjidhet as me dhunë, e as me rrëzimin e kundërshtarit përmes dhunës. Përshkallëzimi i protestës sonë deri në sakrificën e madhe të grevës së urisë, nuk ishte alternativa e dialogut dhe e marrëveshjes së negociuar për transparencën e kërkuar, por reagimi legjitim i detyruar në kushtet e mungesës së vullnetit të palës tjetër për dialog e për tu marrë vesh që të hapet rruga e transparencës. Jam krenar që deti i protestuesve që u derdh më shumë se një herë në Tiranë, nuk theu as një xham, e as këputi një lule dhe nuk do të jem kurrë i tunduar nga asnjë shprehje e dhunshme e të drejtës sonë të pamohueshme, sepse kurrë nuk kam besuar që e keqja del më një të keqe tjetër.

Unë besoj se edhe stacioni ku sapo kemi mbërritur, është prova lapidare e kësaj të vërtete të thjeshtë. S’ka dyshim se ashtu siç janë të gjitha gjasat, që këto dy javë të sjellin zgjidhjen dhe ti hapin më në fund rrugën transparencës, ashtu edhe nuk mungojnë gjasat, që këto dy javë të mos sjellin atë që ne kërkojmë, pikërisht sepse kundërshtari ynë mund ti iki tryezës, pa dashur t’ja dijë për pasojat që do ti sjelli Shqipërisë në raport me komunitetin ndërkombëtar, por edhe pasojat që do të kishte në realitetin e gjërave këtu në Shqipëri, ku moszgjidhja e problemit të madh të transparencës, do të thellonte krizën politike dhe institucionale dhe do të rrënonte më tej ekonominë familjare të çdo shqiptari që nuk jeton në oborrin e pushtetit. Por detyra jonë pikërisht karshi vendit dhe njerëzve, është të provojmë më kurajo dhe vullnet çdo mundësi zgjidhjeje, sepse kështu luajmë rolin që kemi, si një alternativë qeverisëse, si një forcë me vizion evropian e me shpirt konstruktiv, që përfaqëson denjësisht interesin kombëtar e po ashtu edhe detyrimin e pashmangshëm të Shqipërisë ndaj komunitetit ndërkombëtar.

Në rast se zgjidhja përsëri nuk vjen, përsëri na lind e drejta dhe detyra të ecim më tutje në rrugën e protestës, ku jemi ndalur dy javë, për të krijuar të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë.

Ne nuk e bojkotuam parlamentin për ta futur vendin në krizë, por kriza e vendit na shtyu në bojkotin e parlamentit. Ne nuk i vazhduam protestat për të thelluar krizën, por thellimi i krizës diktoi vazhdimin e protestave.

Ne nuk ndërmorëm grevën e urisë për të marrë pushtetin, por që pushteti të mos merret më pa votën e popullit, ne përjetuam 19 ditët dramatike të grevës së urisë. E gjithë beteja jonë nuk do të kishte ndodhur, po të mos ishte penguar transparenca, e po të mos ishte thelluar kriza e mungesës së transparencës.

Të gjithë e kanë marrë vesh tanimë, edhe pa hapur asnjë kuti, se Sali Berisha i ka vjedhur zgjedhjet. Të gjithë po e marrin vesh tanimë, se pushteti i vjedhur nuk mund të hapë vende pune, por vetëm të mbyllë rrugët e punësimit dhe flakë çdo ditë njerëz në rrugën e papunësisë, duke u munduar ti skllavërojë shqiptarët dhe shqiptaret me bukën e qeverisë.

Të gjithë po e shohim se me votat e vjedhura Sali Berisha nuk po e nxjerr ekonominë nga kriza, po vetëm po shton borxhet, po rrit çmimet, po zmadhon gënjeshtrat.

Sot e dinë, jo vetëm ata që e kanë kryer krimin elektoral, por e kanë marr veshë që të gjithë se në 28 qershor, Partia Socialiste dhe opozita i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot vetëm sepse zgjedhjet u vodhën, duke mbushur kuti si në Ruzhdie. Hapja e kutive dhe nxjerrja e dokumentacionit zgjedhor në sytë e publikut, do të hedhë dritën e transparencës mbi të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë dhe do ta çmontojë armën që vrau zgjedhjet në qindra Ruzhdie.

Hapja e kutive të krimit elektoral, është edhe barrikada kundër rrënimit ekonomik. Sot Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedhë. Dhe pushteti i Ruzhdieve nuk fundosi vetëm zgjedhjet, ky pushtet po fundosë edhe ekonominë shqiptare, duke u bërë që nga një anë vendet e punës të humbasin dhe nga ana tjetër faturat e ushqimeve, ilaçeve, energjisë, ujit dhe të jetës së përditshme të rriten dita ditës.

Kjo është një betejë për të drejtën e shkelur, liritë e mohuara, për Shqipërinë që meritojmë pa vjedhje votash, pa grabitje pronash private e pasurish publike, pa nëpërkëmbje njerëzish për shkak të bindjeve, pa plehra dhe shkatërrim të natyrës kudo ku hedhim sytë. Pikërisht sepse është një betejë për gjëra kaq themelore, kjo është edhe një betejë kaq e vështirë. Por sot ne jemi më shumë se ç’kemi qenë ndonjëherë më parë dhe e drejta është me ne, siç nuk ka qenë asnjëherë më parë.

Shqipëria kërkon prej nesh kurajën e vullnetin për ti dhënë zgjidhje krizës dhe ne jemi këtu sot për ta afirmuar këtë kurajo e vullnet.

Duam zgjidhje dhe e duam brenda dy javësh. Dhe askujt nuk duhet ti shkojë nëpër mend se ekziston një zgjidhje me kuti të mbyllura apo me fletë votimi të djegura. Jemi gati të kontribuojmë për ta gjetur zgjidhjen, në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët e duan dhe e meritojnë transparencën e zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme dhe siguruar zgjidhjet për të ardhmen.

E në fund fare edhe njëherë motra dhe vëllezër, më shumë sesa faleminderit.

(*) Fjala e kryetarit të PS, në aktivitetin e sotëm, qëndrimet janë personale

KOMENTE