Rama: Falë Grevës Sonë Ra Tabuja E Kutive Të Mbyllura
TIRANË, 24 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, falenderoi sot deputetët dhe personat nga shoqëria civile, që morën pjesë në grevën 19 ditore me synim transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, i cili po zhvillohet me pjesëmarrjen e aleatëve dhe mbështetësve të saj, Rama tha se "falë grevës sonë ka rënë tabuja e kutive të mbyllura, dhe me mbështetjen e jashtëzakonshme të popullit opozitar, kutitë de fakto janë hapur".
"Është hapur gjithashtu shtegu që të nxjerr në rrugën e transparencës", tha Rama, duke falenderuar në të njëjtën kohë edhe mjekët që ndoqën grevistët gjatë 19 ditëve të grevës së PS-së.
Duke u ndalur te tryeza e Strasburgut, kryesocialisti Rama theksoi se "ajo të vijojë brenda kësaj jave në Tiranë, por zgjidhja duhet të vijë brenda 2-javësh, përndryshe pasojat do të jenë të rënda".
Sipas tij, "ky shans për zgjidhje është një shans që nuk duhet humbur, pasi humbja e tij do të rëndonte më tej krizën që po kalon vendi, që i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të 28 qershorit".
Kreu i PS-së, Edi Rama, shtoi se "në rast se nuk do të ketë zgjidhje rruga jonë e vetme do të jetë ajo e protestave".
Greva e urisë e 22 deputetëve të PS-së dhe e rreth 180 mbështetësve të saj nisi më 30 prill në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përballë selisë së Kryeministrisë, me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ky aksion politik i opozitës u ndërpre pas ftesës së zyrtarëve të komunitetit europian, të cilët mblodhën së bashku në një tryezë në Strasburg kryetarët e dy partive kryesore politike në vend, Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama, në përpjekje për vendosjen e dialogut dhe për zgjidhjen e krizës politike në vend./s.s./