Reportazh/ Himarë: E Diela, Fillimi I Sezonit Turistik Veror
HIMARË, 24 maj /ATSH-H.Koçi/ - Himara po përjeton fillimet e sezonit turistik veror 2010. Në fundjavën që shkoi ajo u frekuentua nga qindra vizitorë dhe pushues nga rrethe të ndryshme të vendit, si dhe nga mjaft turistë të huaj, kryesisht nga Greqia. Madje, nxënës të shkollave të mesme të qyteteve të ndryshme të vendit, çelën edhe sezonin e plazhit për këtë vit, duke notuar në ujin ende të ftohtë në plazhin e Spilesë.
Manjola, një nxënëse e vitit të tretë nga Lushnja, thotë se është hera e parë që vjen në qytetin e Himarës dhe i pëlqen shumë bregdeti. Ajo, sikurse edhe shoqe të tjera të klasës, që mbërritën të dielët paradite nuk hezituan të futen e të notojnë në ujë.
"Na vinte keq të largoheshim prej këtej pa notuar qoftë edhe për disa minuta, pavarësisht se uji është i ftohtë", thotë ajo.
Lokalet tenda përgjatë bregdetit janë mbushur me klientë. Ata janë banorë vendas, por edhe nga qytete të tjera. Iliri, kamerier në një nga lokalet-tenda, me origjinë nga Korça, thotë se "kanë nisur të vijnë pushues për të kaluar një ditë në Himarë. Ndryshe nga vitet e tjera, sivjet ka bërë mot i keq dhe kjo ka ndikuar në ardhjen e pushuesve."
Por, pavarësisht kësaj, janë turistët e huaj, që duket se e kanë plotësuar këtë mangësi. Panoja, pronar i një lokali në Himarë, thotë se çdo fundjavë vijnë disa autobuzë më turistë nga Greqia, të cilët qëndrojnë për disa orë duke vizituar bregdetin, objekte të ndryshme historike e natyrore, etj.
Një nga punonjësit e postës së policisë në këtë bashki, shprehet se ngarkesa e punës për të disiplinuar trafikun e automjeteve ka nisur të shtohet, veçanërisht në fundjavë. Prej disa javësh, sipas tij, në Himarë është shtuar edhe fluksi i turistëve të huaj, kryesisht nga Greqia, të cilët kalojnë orë të tëra në vende të ndryshme përgjatë bregdetit dhe në qytet.
E diela, shënoi fillimin e vërtetë të sezonit turistik veror në bregdetin e Himarës./ch/