Tiranë, 24 Maj, NOA – “Ne nuk e bojkotuam parlamentin për ta futur vendin në krizë, por kriza e vendit na detyroi të bojkotonim dhe nuk ndërmorëm grevën e urisë për të marrë pushtetin, por që pushteti të mos merret më me votë të pamerituar”.
Kështu është shprehur në emër të grupit parlamentar socialist, kreu i tij Gramoz Ruçi, i cili ka pohuar më tej se “e gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur po mos të ishte penguar transparenca e procesit zgjedhor”.
“Ne duam zgjidhje, jemi gati të kontribuojmë për ta gjetur atë, në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e për të siguruar zgjedhje për të ardhmen”, tha ndër të tjera Ruçi.
Duke shtuar se gjithsesi, nëse opozita nuk sheh që mazhoranca do të reagojë për zgjidhjen, ajo do të jetë e detyruar të ndërmarrë masa të tjera opozitare.
Në fund, ai kritikoi notat ironike ndaj grevës që urisë që janë përdorur sipas tij në Kuvend, ndaj disa deputetëve, por gjithsesi ka thënë se nuk do të merret me këtë çështje.
n.e/NOA