Sezoni Turistik Në Berat Sjell Një Numër Të Madh Turistësh
-Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, shprehet në një intervistë për ATSH-në-
TIRANË, 24 Maj/ ATSH/- Turizmi është një ndër drejtimet më premtuese të zhvillimit ekonomik të qytetit të Beratit, i cili trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike, të cilat përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin.
"Sezoni turistik në Berat ka një fluks të lartë turistësh dhe kjo vjen për shkak të vlerave që ka qyteti dhe që rritet sidomos nga periudha prill-tetor", shprehet në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi.
Sipas tij, numri i turistëve në 2009 arriti në 55 mijë, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave që vijnë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. "Ndërsa turistët që presin bileta për institucionet muzeale, kanë qënë nga Europa, vendet aziatike etj, dhe ajo që dua të theksoj është se këtu ka pasur prezencë personalitetesh si Prodi, shkrimtari Orhan Pamuk, grupi i deputetëve të Arabisë Saudite, etj", tha ai.
Duke e konsideruar turizmin si një nga prioritetet kryesore, Nasufi thotë se "bashkia prej 2 vjetësh ka bërë një axhendë, të cilën e pasuron nga viti në vit me projekte kulturore në mënyrë që të rritet atraksioni turistik".
"Para 10 ditësh mbyllëm Berat - Festival, një projekt me 10 konkurse dhe me 4 promocione, kemi një axhendë me aktivitete me institucionet kulturore, si me Qëndrën Kulturore, Galerinë e Arteve, me muzeumet e qytetit, etj", tha ai, duke shtuar se "në muajin qershor ka një projekt për ditën e mjedisit, një projekt për poetekën, e cila do të ketë edicionin e saj të radhës, ndërsa në shtator do të organizojmë sofrën beratase, ku të fusim si traditë festat e prodhimeve të agrobiznesit të qytetit tonë".
Kryebashkiaku Nasufi vuri në dukje se ka edhe projekte të tjera me donatorë të huaj për zhvillimin e turizmit. "Ne kemi në axhendë një paketë të re promocionale për qytetin e Beratit me PNUD-in, si dhe disa projekte që kanë të bëjnë me zgjerimin e mundësive për të rritur qëndrimin e turistëve në Berat", tha ai.
Duke folur për turizmin privat, Nasufi tha se "kjo është e ardhmja dhe strategjia jonë, sepse këtu pretendohet për një turizëm elitar, një turizëm që ka në qëndër vlerat historike, kulturore, trashëgimore të Beratit", duke shtuar se "sipërmarrjet private po investojnë në hoteleri dhe në shtëpi pritëse, ku ka filluar dhe frekuentimi nga turistë të ndryshëm".
I pyetur se çfarë masash janë marrë për shtirjen e turizmit jo vetëm në qytetin e Beratit, por edhe në gjithë zonat turistike të këtij qarku, Nasufi tha se "është një vlerë shumë e madhe që turizmi natyror, turizmi i aventurës, nëpërmjet kanioneve, dhe gjithë vlerat e trashëgimisë të bashkohen me njëra-tjetrën".
"Tani që ujërat janë më të bollshme çdo fundjavë vijnë turistë të huaj, personel i trupit diplomatik dhe këto janë lajme të mira, pasi po krijojnë traditën, dhe ne në strategjinë tonë kemi mundësinë e zhvillimit të turizmit, që turistët të vijnë të qëndrojnë 24 orë në Berat dhe jo të shijojnë vetëm pamjet panoramike", u shpreh Nasufi.
Në këtë kontekst, ai shtoi se "këtë vit do të fillojë në Kala një projekt i financuar nga Komisionit Europian për menaxhimin e Kalasë me shifrën rreth 1 milionë euro, që këtu të ndryshojnë gjërat dhe të ruhet edhe ana konservative, por edhe menaxhimi sipas gjithë strategjive të turizmit konkurrues, i cili të mos jetë i lodhshëm dhe i mërzitshëm, por të jetë shumë mbresëlënës".
Duke u ndalur te bashkëpunimi me pushtetin qëndror përsa i përket këtyre projekteve, ai tha se ka një përmirësim, por janë ende pak. "Për këtë vlerë dhe për këtë lloj turizmi, që përfaqëson Berati, duhet të ketë projekte të menjëhershme që këtë emër të mirë që ka Berati dhe vlerat e tij të mbështeten me investime".
Ai u ndal edhe te infrastruktura, duke kërkuar që të rregullohet sa më shpejt rruga Berat- Lushnje, që është në gjendje shumë të amortizuar, dhe që sipas tij, "e frenon qarkullimin e turistëve".
Ndërsa marrdhëniet mes pushtetit lokal dhe sektorit privat ai i cilësoi shumë inkurajuese, duke pohuar se "ka filluar investimi në zonën historike kryesisht në shtëpitë pritëse, por me përfundimin e planit të përgjithshëm rregullues që është në proçes, fillon më pas menaxhimi ligjor dhe zbatimi i këtij plani"./s.d/s.s./