Shba - Baza E Okinavës - Clinton Përshëndet Vendimin E Guximshëm Të Tokios
PEKIN, 24 maj /ATSH-AFP/ - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përshëndeti sot në Pekin vendimin "e guximshëm" të kryeministrit japonez për të mos zhvendosur një bazë ushtarake jashtë Okinavës.
"E përshëndes kryeministrin Yukio Hatoyama që mori vendimin e vështirë, megjithatë të duhur, për të zhvendosur bazën Funtenma brenda Okinavës", deklaroi Clinton.
Kryeministri japonez Hatoyama hoqi dorë nga projekti për zhvendosjen e bazës ajrore amerikane jashtë Okinavës që ishte ndër angazhimet e shumta të fushatës së tij elektorale dhe kërkoi të dielën falje publike për këtë ndryshim.
Ai shpjegoi se u ka kërkuar banorëve të Okinavës të pranojnë zhvendosjen e bazës Futenma brenda Okinavës dhe, më konkretisht, në distriktin Henoko.
Zhvendosja e bazës ishte bërë një çështje mosmarrëveshjesh mes Uashingtonit dhe Tokios që prej ardhjes në pushtet në shtator të qeverisë së qendrës së majtë Hatoyama.
"Do të bashkëpunojmë me qeverinë japoneze për të garantuar që marrëveshja jonë të përputhet me propozimet e japonezëve të cilët do të lehtësojnë pasojën e mbajtjes së bazës në ishull tek banorët e Okinavës", theksoi Clinton e cila zhvilloi një vizitë të shkurtër të premten në Tokio.
Qindra persona protestuan dje kundër vendimit të kryeministrit, duke mbajtur parrulla ku shkruhej "Jemi të zemëruar" dhe thërrisnin "Hatoyama, ik në shtëpi!"
"Si ish-zyrtare politike, e di se sa e vështirë ishte për kryeministrin Hatoyama marrja e një vendimi të tillë dhe e përgëzoj për guximin dhe vendosmërinë në përmbushjen e angazhimeve. Kjo është me të vërtetë baza e bashkëpunimit tonë të ardhshëm si aleatë në rajonin Azi-Paqësor", deklaroi sekretarja e Shtetit.
Më tepër se gjysma e 47 000 ushtarëve amerikanë të vendosur në Japoni ndodhen në Okinava.
/I.Pu.