English

Shijak: Ekspozita "Në Pranë Verë", Piktorët Shijakas Gati Për Shoqatën Drak

SHIJAK, 24 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Piktorët e rinj shijakas u paraqitun mbrëmjen e kaluar para bashkëqytetarëve të tyre me ekspozitën "Në pranë verë", e cila sipas tyre, synon të jetë një hap i parë për krijimin e shoqatës "Dije, risi për art dhe kulturë" (DRAK). "41 punimet e ekspozuara në galerinë 'F' të qytetit të vogël janë mirëpritur nga artdashësit e Shijakut, qytet mjaft i njohur për emrat e njohur të artistëve të daltës dhe penelit dhe ku kanë gjetur mbështetjen 5 piktorët e diplomuar vitet e fundit në Akademinë e Arteve në Tiranë, të cilët janë nismëtarët për rigjallërimin e jetës artistike, ku të mbizotërojnë vlerat, drita dhe ngjyrat", tha për ATSH-në Gent Faja, nipi i piktorit të shquar Agim Faja. Bashkë me Gentin, në ekspozitën me titullin ngacmues "Në pranë verë", kanë vendosur punimet e tre muajve të fundit edhe Sonja Morina, Ardit Çalliku, Everest Tikvina dhe Ermir Llaftiu, që të gjithë të rinj me moshë nga 25-35 vjeç. "Pas viteve 1990 në Akademinë e Arteve në kryeqytet janë diplomuar 22 piktorë dhe skulptorë nga Shijaku dhe së bashku do ta kemi më të lehtë për përgatitjen e një kalendari artistik me ekspozita të arteve pamore, mbrëmje poetike apo diskutime dhe shfaqje artistike", shton Gent Faja, i bindur se realizimi i këtoj projekti do t'i shërbejë vetë artistëve dhe shoqërisë që i rrethon. Në galerinë 'F', e cila është hapur katër vjet më parë nga biznesmeni Fahri Kaçaniku, peizazhet, natyrat e qeta dhe kompozimet që sjellin pjesë nga Shijaku dhe rrethinat e tij të artistëve të rinj shijakas kanë marrë përgëzimet e pedagogëve të tyre Fatos Kola, Ilmi Kasemi, Vasiljev Nini, Emjona Stasi dhe Bujar Lila, të cilët kanë vlerësuar veçanërisht idenë e bashkëpunimit të artistëve për gjallërimin e jetës kulturore në qytetin e Shijakut. Mjediset e galerisë 'F' prej kohësh janë klubi më i mirë për shkëmbimin e opinioneve dhe përvojave të artistëve të rinj shijakas, mjaft të përgjegjshëm për të ardhmen e artit të tyre. "Pas diplomimit në Akademi disa prej nesh janë larguar nga bota e artit për të siguruar jetën e përditshme, por çdokush do të kthehej si pjesëmarrës në nisma që lidhen me përgatitjen tonë profesionale disavjeçare në Akademi me disa nga pedagogët më të mirë shqiptarë," vazhdon më tej Genti, 37-vjeçar, duke shtuar se "unë nuk di të shes punët e mija, unë di vetëm të punoj pa pushim dhe pasioni për pikturën te unë mbetet i pandryshuar", përfundon Faja i ri, i cili, së bashku me Arditin, Ergysin, Migenën, Rudolfin dhe Francin, janë pjesë e dinastisë artistike që nis me emrin e Agim Fajës, ilustruesit të parë të Abetares shqipe. Grupi i "të pestëve" vlerëson veçanërisht përvojën e kahershme të artistëve shijakas, të cilët vetëm në laminë e pikturës kanë arritur në 86 firma. Në fund të vitit të kaluar në galerinë 'F' u organizua festa e 50-vjetorit të ekspozitës së parë të arteve pamore në Shijak. Një ekspozitë retrospektive që riktheu në vemendjen e amatorëve një gjysëm shekulli me përpjekje pozitive si dhe emrat e njohur të Agim Fajes, Luan Berhamit, Dashamir Gurabardhit, Abaz Hados, Aqif Keçit, Albert Dedjes, etj./ch/
KOMENTE