English

Sot Seanca Plenare E Kuvendit, Pritet Vendimi I Grupit Socialist

TIRANË, 24 Maj/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në ora 18:00 në seancën plenare të radhës, njoftojnë burime zyrtare nga parlamenti. Në seancën e pasdites pritet të jetë prezente dhe opozita, e cila do të vendosë për këtë në një mbledhje të sotme të grupit parlamentar socialist. Pas rivendosjes së dialogut mes palëve në takimin e Strasburgut pritet të ndryshojë dhe qëndrimi i opozitës ndaj Kuvendit, me nisjen e aktivitetit normal parlamentar. Rikthimi i opozitës në parlament ka qenë një kërkesë e përhershme e ndërkombëtarëve, ndërsa PS e kushtëzonte këtë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Nga fillimi i legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit më 7 shtator, opozita ka bojkotuar parlamentin, bojkot që zgjati gati 9 muaj dhe u thye vetëm gjatë debatit për djegien e mandateve të deputetëve, më 25 shkurt. Deputetët socialistë, nga kjo datë, kanë qënë prezentë në seancë plenare vetëm në minutat e debatit të lirë parlamentar, ku kanë deklaruar qëndrimet e tyre politike, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në veprimtarinë e komisioneve të përhershme kuvendore. Pas fillimit të grevës së urisë më 30 prill deputetët socialistë e bojkotuan totalisht Kuvendin. Kthimi i deputetëve socialistë në parlament pritet të rikthejë në normalitet zhvillimin e seancave parlamentare, të cilat për shkak të mungesës së opozitës janë mbledhur vetëm të enjteve, për t'i lënë më shumë kohë komisioneve parlamentare për shqyrtimin e ligjeve./s.s./
KOMENTE