Sport-Futboll/ Kombëtarja Shqiptare Gati Për Miqësoren Me Malin E Zi
TIRANË, 24 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë nesër në Podgoricë një ndeshje miqësore kundër Malit të Zi.
Kjo do të jetë miqësorja e dytë për ekipin shqiptar në vitin 2010, pas miqësores së fituar 1-0 ndaj Irlandës së Veriut në 3 mars.
Përfaqësuesja e Malit të Zi renditet në vendin e 69-të në klasifikimin botëror të FIFA-s për muajin mars, ndërsa ekipi ynë përfaqësues renditet në vendin e 83-të. Ndeshjen e parë ndërkombëtare përfaqësuesja e Malit të Zi e ka zhvilluar më 24 mars të vitit 2007, ku ka fituar 2-1 kundër Hungarisë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi është ish-sulmuesi i famshëm i Milanit, Dejan Saviçeviç. Aktualisht lojtari më i njohur i kësaj përfaqësueseje është sulmuesi i Romës, Mirko Vuçiniç. Ai është njëkohësisht edhe rekordmeni i përfaqësueses së vendit fqinj me 8 gola në 20 ndeshje. Ndërsa një element cilësor është edhe mesfushori Fiorentinës, Stevan Jovetiç.
Për Malin e Zi ka bërë disa paraqitje edhe sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj, që aktivizohet me Buduçnostin e Podgoricës.
Kjo do të jetë miqësorja e dytë e Shqipërisë me Malin e Zi. E para është fituar nga Kombëtarja jonë me rezultatin e thellë 5-0 (1946, trajner serbi Ljubisha Broçiç), një takim i zhvilluar në Shkodër.
Mali i Zi-Shqipëri ka edhe një sfidë brenda sfidës, pasi kundër njëri-tjetrit janë dy trajnerë kroatë, Josip Kuzhe dhe Zllatko Kranjçar, madje ky i fundit ka qenë edhe një kandidat i përfolur për stolin e Shqipërisë, përpara se presidenti FSHF-së, Armand Duka, të vendoste për Kuzhenë.
Trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ka grumbulluar 26 lojtarë për këtë miqësore. Ekipi shqiptar ka zhvilluar një fazë përgatitore prej një javë në Luz të Kavajës dhe sot është nisur drejt Malit të Zi.
Ndërkohë, përveç Malit të Zi, Kombëtarja do të zhvillojë një takim miqësor në 2 qershor në Tiranë ndaj Andorrës. /s.s./