Sport: Kombetarja Shqiptare Viziton Qytetin E Shkodres
SHKODËR, 24 Maj/ATSH-G. Marku/.- Kombëtarja shqiptare e futbollit vizitoi sot qytetin e Shkodrës, para udhëtimit drejt Malit të Zi, ku nesër luan ndeshjen miqesore ndërkombëtare me kombëtaren malazeze.
Tekniku Josip Kuzhe me stafin vizituan rrugën pedonale "Kol Idromeno", ndërsa me ftesë të futbollistit Hamdi Salihi, kuqezinjtë u sistemuan në lokalin "Fontana", pronë e golashenuesit shkodran, qe luan ne kampionatin austriak.
Prania e Kombëtares shqiptare në Shkodër, pjesë e së cilës janë dhe tre futbollistët shkodranë, Hamdi Salihi, Gilman Lika dhe Bekim Bala tërhoqi fansa të shumtë të futbollit, që përcollën me respekt djemtë kuqezi drejt Malit të Zi.
Pjesëtarë të stafit teknik të skuadrës kombëtare dhanë për mediat lokale prononcime optimiste për rezultat pozitiv në ballafaqimin e nesërm në stadiumin "Buduçnost" në Podgoricë.
Sipas informacionit nga shoqata e tifozëve të Vllaznisë, falë afërsisë gjeografike, një numër i madh tifozësh do të udhëtojnë në kryeqëndrën malazeze, Podgoricë për t'a ndjekur nga afër ndeshjen. /a.ke/